Çfarë do të ndodhë me “non gratën” e ish-kryeministrit Sali Berisha? Si do të jetë marrëdhënia e qeverisë dhe drejtësisë me administratën Trump? A do të ketë dialog mes Kosovës dhe Serbisë? A do të marrë fund lufta në Ukrainë dhe Rripin e Gazës? Profesori dhe eksperti i politikës David Felsen iu dha përgjigje këtyre e shumë çështjeve të tjera gjatë një bashkëbisedimi me studentët dhe pedagogët e UET.
Në maj të 2021 bëri jo pak bujë shpallja non grata nga SHBA dhe më vonë nga Britania e Madhe e ish-presidentit dhe ish- kryeministrit Sali Berisha. Në atë kohë vendimi u bë i ditur nga Sekretari i Shtetit Antony Blinken, gjatë administratës së presidentit Joe Biden. Një rikthim i dytë, shumë i përfolur i Donald Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë, ka ngritur shumë pikëpyetje, ka ngjallur shpresa për disa pesonazhe dhe shtete, si dhe ka hidhëruar shumë të tjerë. Berisha është një nga ata politikanë që pret nga Trump heqjen e ndalimit, por a ka gjasa të ndodhë diçka e tillë?
Për profesorin dhe ekspertin e politikës, prof. asoc. dr. David Felsen është e paqartë ajo çfarë do të ndodhë në të ardhmen, por ai pranoi se gjithçka është e mundur në varësi të mënyrës që do të trajtohet kjo çështje.
“Nëse njerëzit që mbrojnë Brishën gjejnë grupin e duhur të lobit ose avokatin e duhur që është afër Trump ose Marco Rubio, sepse në fakt është një direktivë e brendshme e Sekretarit të Shtetit që e bëri këtë në maj të 2021, kush e di se çfarë do të ndodhë. Nuk mund ta them me siguri. Por ju e dini që njerëzit e afërt të Brishës po kërkojnë rrugë”, u shpreh Felsen gjatë një bashkëbisedimi me studentët dhe pedagogët e Fakultetit të Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare.
“Të gjithë ne tani ne presim ndryshime jo vetëm nga pikëpamja politike, por edhe nga çështjet e ndikimit dhe pushtetit”, tha në nisje të leksionit të hapur dekania prof. asoc. dr. Juelda Lamçe, duke shtuar se kjo është arsyeja pse do të ketë diskutime në UET me ekspertë të fushës për situatën politike e ndërkombëtare.
Me PhD në Universitetin e Oksfordit dhe me një eksperiecë të gjatë si kërkues në universitetete të ndryshme në SHBA, Kanada e më gjerë, David Felsen bëri një analizë të shkaqeve dhe arsyeve që sollën fitoren e Trump, duke u bërë i dyti president që kthehet pas një humbje, siç ndodhi 100 vjet më parë me Grover Cleveland.
“Gjëja e parë që duhet të kuptojmë është se fitorja e Trump për herë të dytë është më shumë rezultat i politikës së brendshme brenda Shteteve të Bashkuara sesa i politikës ndërkombëtare”, theksoi profesori. Sipas tij, humbja e besimit të qytetarëve për rritje ekonomike gjatë administratës së Biden, i shtyu amerikanët të rizgjedhin Trump. Më tej ai bëri një analizë të të gjithë përsonazheve të emëruar nga Trump, nga Sekretari i Shtetit, te ambasadori i NATO-s apo të dërguarëve të tjerë, duke shpjeguar formimin dhe qasjen që ka gjithsecili prej tyre.
“Unë thjesht, si një shkencëtar social, po përpiqem të kuptoj se si do të metamorfozohemi në një mënyrë të re për të bërë politikë të jashtme dhe një mënyrë e re për të bërë politikën e brendshme. Dhe unë jam duke u përpjekur të kuptoj aktorët. Nëse analizojmë disa nga këto emërime, ne kuptojmë një gjë: Shumë nga institucionet, proceset do të ndryshojnë, por sistemi Bretton Woods do të mbijetojë.”
Duke u ndalur te shqetësimi i krijuar, veçanërisht për Evropën dhe Ballkanin pas zgjedhjes së Trump, profesori Felsen tha se në terma makro gjërat nuk do të ndryshojnë. Ai tha se SHBA do të vijojë mbështetjen për Shqipërinë, SPAK dhe dëshirën për t’u integruar në Bashkimin Europian. Po ashtu, i njëjti qëndrim do të vijojë për Kosovën dhe vendet e tjera Ballkanit, por në terma mikro, gjërat mund të lëvizin në varësi të lidhjeve dhe marrëdhënieve që do të krjohen.
“Ekziston mundësia që Trump ta shtyjë Serbinë dhe Kosovën drejt një marrëveshjeje. Kjo është një mundësi. Ai mund ta shtyjë Vuçiqin të mos mbështesë Milorad Dodik. Ai mund t'i shtyjë rusët të mos mbështesin Vuçiqin dhe Dodik ose cilindo tjetër. Dhe kështu, kjo është një mundësi. Por ne nuk e dimë nëse do të jetë prioritet.”
Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare theksoi si prioriteti i Trump mbetet politika e brendshme. Në politikën e jashtme marrëdhëniet do të jenë të fokusuara në shkëmbimet tregtare dhe ekonomike, kryesisht me Kinën dhe Rusinë, si dhe do të përqendrohet më pak në situatat politike, krizat e mbartura rajonale dhe detajet e zgjidhjes së tyre.
Sa i përket zonave me konfliktit të hapur e të tejzgjatur, Felsen tha se në rastin e Ukrainës me Rusinë mund të ketë një shtytje për zgjidhjen e konfliktit me humbjen e 25% të territoreve, gjë që është përmendur sëfundi nga vetë presidenti Zelenski, i cili tha se kjo marrëveshje mund të bëhet vetëm nëse Ukraina futet në NATO.
Për konfliktin tjetër mes Izralit dhe Palestinës, ai tha se edhe nën drejtimin e Trump do të vijojë mbështetja e SHBA-së për Izralin, duke e shtyrë që të caktojë një datë për ndërprerjen e agresionit në Gaza dhe Liban. Njëkohësisht ai pranoi se do të vijojnë paralajmërimet për Iranin, Hezbollah dhe Hamas për të mos rritur armiqësinë.