* Nga Prof. Asoc. Dr. Teuta Xhindi,
Dekane e Fakultetit të Inxhinierisë, Informatikës e Arkitekturës, UET
Në periudhën ku ne jetojmë, fraza "inovacion digjital" është bërë sinonim i transformimit, duke revolucionarizuar mënyrën sesi individët, bizneset, dhe shoqëritë operojnë. Integrimi i teknologjive digjitale në shumë aspekte të jetës sonë, jo vetëm ka përshpejtuar ritmin e ndryshimit, por është shfaqur edhe si forcë motivuese që projekton të ardhmen.
Inovacioni digjital, në thelbin e tij, nënkupton aplikimin e teknologjive digjitale për të krijuar procese, produkte ose shërbime të reja, ose për t’i përmirësuar ato në mënyrë të konsiderueshme. Evolucioni i teknologjive si artificial intelligence, internet of things, blockchain dhe data analysis, kanë sjellë transformime rrënjësore në sektorë të ndryshëm. Një nga atributet kryesore të inovacionit digjital është aftësia e tij natyrale për të shkatërruar modelet tradicionale, duke nxitur një mjedis dinamik që përqafon ndryshimin dhe idetë e reja progresive.
Gjatë viteve të fundit, inovacioni, sidomos inovacioni në teknologji, ka qenë në qendër të vemendjes së biznesit, si një mënyrë strategjike për qëndrueshmëri. Autorët Esther Calderon-Monge dhe Domingo Ribeiro-Soriano (2023), pas rishikimit të 119 artikujve të publikuar në WOS gjatë periudhës 2018-prill 2022, ofrojnë rishikimin më të plotë dhe më të përditësuar të digjitalizimit nga perspektiva globale, duke përpiluar një përmbledhje të gjendjes aktuale të dijeve dhe njohurive në këtë fushë.
Audrey Paul Ndesaulwa dhe Jaraji Kikula (2016) e kanë konsideruar inovacionin teknologjik si forcën kryesore në rritjen ekonomike dhe janë fokusuar në disa nga tiparet më dalluese të inovacionit në ekonomitë e vendeve më të industrializuara të zonës së OECD (Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim).
Inovacioni digjital i ka detyruar bizneset të rishikojnë strategjitë e tyre, si domosdoshmëri për të qëndruar konkurrues. Ai është bërë gurthemeli i suksesit duke filluar nga proceset e automatizuara që përmirësojnë efikasitetin operacional deri te vendimarrjet strategjike të udhëhequra nga të dhënat. Startup-et, kanë shfrytëzuar teknologjitë digjitale duke krijuar modele të reja biznesi, të ndryshme nga ato tradicionalet.
Por nga ana tjetër, edhe pse inovacioni shihet si faktor për rritjen ekonomike, nuk është e sigurtë nëse digjitalizimi dhe inovacionet e tjera do të çojnë në punësim të plotë apo papunësi masive afatgjatë (Arsic, 2020). Ky autor shton se "puna do të varet nga shpejtësia e përshtatjes së sistemit arsimor ndaj ndryshimeve teknologjike dhe kërkesave të tregut të punës, si dhe nga mundësitë për zhvillimin e arsimit profesional dhe kualifikimet e fuqisë punëtore".
Megjithatë, zhvillimi i teknologjisë shoqërohet edhe me sfida. Qytetaria digjitale është një koncept që përshkruan përdorimin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit me përgjegjësi dhe integritet. Autorët Mike Ribble dhe Gerald D. Bailey (2007) kanë nënvizuar nëntë fusha të sjelljes që duhet të ketë qytetaria digjitale: aksesi digjital, tregtia digjitale, komunikimi digjital, edukimi digjital, etika digjitale, ligjet digjitale, të drejtat dhe përgjegjësitë digjitale, shëndeti dhe mirëqenia digjitale, siguria digjitale dhe tregtia digjitale.
Karakteristika kryesore e qytetarisë digjitale është përmirësimi i cilësisë së arsimit, kosto-efektiviteti i tij dhe mundësia e arsimit për të gjithë njerëzit.
Duke pasur parasysh rëndësinë e edukimit digjital, institucionet arsimore kanë detyrë të integrojnë trajnime dhe programe të specializuara në lidhje me qytetarinë digjitale në kurrikulat e tyre. Këto programe duhet të përfshijnë tema si siguria në internet, qëndrimi kritik ndaj informacionit dhe përdorimi i etikës në teknologji.
Në të njëjtën kohë, institucionet arsimore duhet të ndërmarrin hapa për të ndërtuar një mjedis online të sigurt dhe të respektueshëm për të gjithë përdoruesit e tyre. Kjo përfshin zhvillimin e politikave dhe rregulloreve të qarta për sjelljen dhe përdorimin e teknologjisë në ambientet e tyre virtuale.
Arritja e një ekuilibri midis shfrytëzimit të përfitimeve të inovacionit digjital dhe adresimit të mangësive të mundshme të tij është thelbësore për krijimin e një të ardhmeje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.
* Autorja dekane e Fakultetit të Inxhinierisë, Informatikës e Arkitekturës, UET
*Artikulli është editorial i revistës shkencore “Ingenius 3”, issue 2, e cila botohet dy herë në vit nga Fakulteti i Inxhinierisë, Informatikës e Arkitekturës në UET.