Në maj të vitit 2013 Universiteti Europian i Tiranës nderoi me titullin “Doctor Honoris Causa”, Karim A. A. Khan, profesor dhe personalitet i shquar në fushën e mbrojtjes së të drejtave ndërkombëtare të njeriut. Khan u vlerësua për përkushtimin dhe mbështetjen që i dha çështjes çame, duke e adresuar mbrojtën e të drejtave të tyre në institucionet ndërkombëtare të drejtësisë.
Njëmbëdhjetë vite më pas Karim A. A. Khan është vendosur në qendër të mediave botërore, me një vendim që mund të cilësohet historik. Ditën e sotme, në një deklaratë për shtyp në ambientet e Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Khan njoftoi se ICC po kërkon urdhra arresti për liderin e Hamasit në Gaza, Yahya Sinëar dhe kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Avokati skocez, i cili mori detyrën e kryeprokurorit në 2021, deklaroi se kishte baza të arsyeshme për të besuar se të dy liderët mbanin përgjegjësi penale për krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit prej të paktën 7 tetorit 2023. Khan ka kërkuar gjithashtu urdhër arresti për dy liderë të tjerë të Hamasit - Ismail Haniyeh dhe Mohammed al-Masri, si dhe ministrin izraelit të mbrojtjes, Yoav Gallant.
Pjesë e hetimeve për akuzat e ngritura kundër liderëve të Hamasit kanë qenë intervistimi i të mbijetuarve, ish-pengje dhe dëshmitarëve okularë nga gjashtë lokacionet izraelite ku ndodhën krimet, si dhe mbledhja e materialeve të vërtetuara audio, foto dhe video, apo deklarata të anëtarëve të Hamasit, të përfshirë në sulme.
Por nga ana tjetër, kryeprokurori akuzon Izraelin se nuk ka respektuar ligjin ndërkombëtar humanitar. Sipas tij, mjetet e zgjedhura nga Izraeli janë kriminale, duke shkaktuar qëllimisht vdekje, uri, vuajtje të madhe dhe lëndim të rëndë të trupit ose shëndetit të popullatës civile.
Përfshirja e politikanëve izraelitë në kërkesë shënon herën e parë që Gjykata Penale Ndërkombëtare ka vënë në shënjestër liderin e një vendi që është një aleat i ngushtë i SHBA. Benjamin Netanyahu i bashkohet “klubit” të presidentit rus Vladimir Putin, për të cilin Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar një urdhër arresti për pushtimin dhe luftën në Ukrainë.
Dosja e kryeprokurorit do t’i dorëzohet një paneli gjyqtarësh në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, të cilët do të shqyrtojnë kërkesën për urdhër-arreste. Pas deklaratave të kryeprokurorit, ka reagime nga Izraeli dhe Hamasi, që kundërshtojnë vendimin e tij.
Çfarë është GJNP dhe çfarë juridiksioni ka?
Gjykata Ndërkombëtare Penale është një gjykatë globale e përhershme e formuar në vitin 2002, e cila ka fuqinë të ndjekë penalisht individë dhe liderë për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Gjykata nuk ka juridiksion retrospektiv - ajo mund të merret vetëm me krimet e kryera pas 1 korrikut 2002 kur Statuti i Romës, i cili themeloi gjykatën, hyri në fuqi.
Ai është ratifikuar nga 124 vende, por jo nga Izraeli dhe SHBA. Gjykata nuk ka forcë të saj policore për të gjurmuar dhe arrestuar të dyshuarit, por mbështetet në shërbimet e policisë kombëtare për të bërë arrestime dhe për të kërkuar transferimin e tyre në Hagë.
Karim Khan, luftëtari i të drejtave të njeriut
Më 16 qershor 2021 Karim Khan u betua si kryeprokuror i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, pas një karriere të gjatë dhe me çështje shumë sensitive.
Ka mbajtur postin e Ndihmës Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara dhe shërbeu si Këshilltari i parë Special dhe Shef i Ekipit Hetues të Kombeve të Bashkuara për të promopuar përgjegjësinë për krimet e kryera nga Da'esh/ISIL në Irak (UNITAD) midis 2018 dhe 2021.
Po ashtu, është avokat dhe këshilltar i Mbretit të Britanisë së Madhe, me më shumë se 30 vjet përvojë si avokat penal ndërkombëtar dhe avokat i të drejtave të njeriut.
Ai ka përvojë të gjerë si prokuror, avokat i viktimave dhe avokat mbrojtës në gjykatat penale britanike dhe ndërkombëtare, duke përfshirë, por pa u kufizuar në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, Tribunalin Ndërkombëtar Penal për Ruandën, Tribunalin Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, Dhomat e Jashtëzakonshme në Gjykatat e Kamboxhias, Gjykata Speciale për Libanin dhe Gjykata Speciale për Sierra Leone.
Ai gjithashtu ka përfaqësuar viktimat e shkeljeve të të drejtave të njeriut në Afrikë dhe Azi. U zgjodh si Presidenti i dytë i Dhomës së Avokatëve të IÇ në korrik 2017 dhe është ambasador në mbarë botën i Shoqatës së Avokatëve Afrikan. Ka botuar një sërë tekstesh kryesore mbi të drejtën penale ndërkombëtare dhe është bashkautor i disa botimeve të tjera.
Mbajtës i diplomës bachelor në Drejtësi me Nderime nga King's College, Universiteti i Londrës, si dhe i diplomave dhe kualifikimeve të tjera të ndryshme.