Polis

A do të kemi edhe turizëm studentor në Shqipëri? Liga e Universiteteve hap diskutimin për studentët ndërkombëtarë, nesër Forumi 2024

Shkruar nga Liberale

A do të kemi edhe turizëm studentor në Shqipëri? Liga e
John of Dyrrachium University League, shoqata e përbërë nga dhjetë institucione të arsimit të lartë jopublik, sjell forumin e parë për studentët e huaj në Shqipëri. Akademikë dhe profesorëtë njohur hapin diskutimin për këtë fenomen ndërkombëtar, por që po vjen edhe në vendin tonë. Forumi zhvillohet ditën e enjte më 12 dhjetor, në Hotel Tirana International, me praninë e kryeministrit Edi Rama.

Vitet e fundit emri i Shqipërisë ka qarkulluar ndjeshëm në mediat më prestigjioze ndërkombëtare, të cilat e trumbetojnë si një destinacion të preferuar turistik, që ka se çfarë ofron në të gjitha llojet e turizmit. Në fakt, kjo vëmendje e shtuar është reflektuar edhe në numrin e turistëve që kanë vizituar vendin tonë, duke kapur shifra të lakmueshme. Por duket se një fenomen i ngjashëm, që meriton vëmendjen e duhur, është edhe shtimi i studentëve të huaj. Përveçse një joshje për turistët, Shqipëria duket se është një zgjedhje e preferuar për formim profesional dhe akademik.

Shifrat zyrtare të nxjerra nga Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve në vendimin “Për miratimin e profilit të zgjeruar kombëtar të migracionit për vitet 2019–2022”, publikuar më 31 janar 2024, tregojnë se përveç viteve të pandemisë, ku masat kufizuese impaktuan shumë fusha të jetës dhe zhvillimit njerëzor, sigurisht edhe arsimin, tendenca ka qenë në rritje e numrit të studentëve që zgjedhin të marrin dije në vendin tonë.

Për këtë qëllim, John of Dyrrachium University League do të organizojë të enjten më 12 nëntor, në Hotel Tirana International, Forumin 2024, ku profesorë dhe akademikë të nderuar do të hapin diskutimin për studentët ndërkombëtar.

Kjo shoqatë, me fokus rritjen e cilësisë së arsimit të lartë dhe nxitjen e kërkimit shkencor, është themeluar në nëntor të 2017 me emrin Liga e Sipërmarrjes në Arsim (LSA), nga administratorët e tre institucioneve: administratori i “European Education Initiative” Shpk; i shoqërisë “Tirana Business University” Shpk dhe i “Univers Netwrok” Shpk. 

Duke mëtuar fillesat e arsimit të lartë në Shqipëri, më 12 nëntor të 2024, shoqata ka marrë emrin John of Dyrrachium University League, me kryetar Bordi, ish-ministrin e Arsimit, prof. dr. Ethem Ruka. Ajo ka në përbërje dhjetë universitete dhe kolegje jopublike në Shqipëri: Universiteti Luarasi; Universiteti Europian i Tiranës; Universiteti Polis; Universiteti Aldent; Universiteti Metropolitan i Tiranës; Tirana Business University; Kolegji Universitar i Biznesit; Canadian Institute of Technology; Kolegji Profesional i Tiranës dhe Kolegji Universitar Qiriazi.

Diskutimi që do të zhvillohet të enjten prek disa çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me impaktin e studentëve të huaj në arsimin e lartë shqiptar, nevojën e përmirësimit të kuadrit ligjor, modelin që i përshtatet më së miri Shqipërisë etj.

Forumi 2024 do të hapet nga kryetari i Bordit të John of Dyrrachium University League prof. dr. Ethem Ruka, i cili do të mbajë kumtesën me temë: “Liga Universiteteve dhe projekti për studentët ndërkombëtarë”. Më tej, në cilësinë e Kryetarit të Konferencës së Rektorëve, do të flasë për studentët e huaj dhe perspektivat e universiteteve publike prof. dr. Artan Hoxha. Rektori i Universitetit Europian të Tiranës, prof. asoc. dr. Selami Xhepa do ta përqendrojë fjalën e tij në modelet e avancuara dhe modelin që i përshtatet më së miri Shqipërisë për tregun e studentëve të huaj. Lidhur me impaktin që kanë studentët e huaj për ekonominë shqiptare, përtej vlerave që i sjellin auditorit, në konferencë do të referojë rektori i Kolegjit Universitar Qiriazi, prof. Gjok Uldedaj.

Pasi të njihet me prezantimet e akademikëve të John of Dyrrachium University League, kryeministri Edi Rama pritet të mbajë fjalën e tij, jo vetëm në lidhje me këtë iniciativë të rrallë për arsimin në Shqipëri, por edhe mbi politikat e qeverisë dhe se çfarë mund të bëhet më mirë në këtë kuadër.

Globalizmi, njehsimi i sistemeve arsimore, partneritetet kanë bërë të mundur lëvizjen e studentëve nga njëri skaj në tjetrin. Të dhënat tregojnë se sot Anglia ka mbi 700 mijë studentë të  huaj, vendet e rajonit kanë mbi 5 mijë, ndërsa Shqipëria është e fundit me 1800 studentë të huaj, nga të cilët shumica i përkasin Universitetit Katolik Zoja e Këshillit të Mirë.

Por nga ana tjetër, vihet re rënia e numrit të studentëve, ndoshta edhe për prekjes nga emigrimi. Sipas të dhënave, nga viti 2011 deri në vitin 2024, numri i studentëve në sistemin universitar shqiptar është pakësuar me 43%. Sipas parashikimeve, në 2033 do të kemi 50-60 mijë studentë.

Shifrat tregojnë se institucionet e arsimit të lartë jopublik mbajnë një peshë të konsiderueshme numerike me 31,883 studentë aktivë, prej të cilëve 14,105 studentë i përkasin John of Dyrrachium University League. Ndërkohë, institucionet e arsimit të lartë publik kanë  84,607 studentë aktivë. Sipas të dhënave për vitin akademik 2023 janë diplomuar: 19,931 studentë në universitetet publike; 8060 studentë në universitet jopublike dhe 3447 studentë në John of Dyrrachium University League. Po ashtu, në këtë vit, institucionet e arsimit të lartë publik kanë bërë 6.6 miliardë lekë xhiro vjetore, ndërsa ato jopublike numërojnë 19 miliardë lekë.

Përballë shifrave, duket se ka ardhur koha të hapet një diskutim i ri dhe të shihet me kujdes potenciali që ka Shqipëria në sektorin e arsimit të lartë. Procesi i ndërkombëtarizimit ka përmirësuar arsimin e lartë dhe universitetet tona, duke sjellë modele mjaft të mira, por nga ana tjetër edhe ka prezantuar për të huajt më të mirat që ky sektor gëzon.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH