Universitet

Marrëveshje bashkëpunimi mes UET dhe Repeat Group, përfitime jo vetëm për studentët e sporteve

Shkruar nga Liberale

Marrëveshje bashkëpunimi mes UET dhe Repeat Group, përfitime jo

Universiteti Europian i Tiranës nënshkroi një memorandum bashkëpunimi me një nga qendrat sportive më moderne dhe profesionale në Tiranë, Repeat Group. Përmes këtij bashkëpunimi studentët e sporteve kryesisht, por edhe studentët e tjerë do të kenë mundësinë të shfrytëzojnë këto ambiente për zhvillimin e tyre.

Me vizionin për të qenë polivalent gjashtë vite më parë Universiteti Europian i Tiranës bëri zgjerimin e madh me pesë fakultete. Pjesë e këtij zgjerimi ishte hapja e programeve të sporteve. Në 2018-ën ky ishte një mision mjaft sfidues, por me kohën është treguar se programi Edukim Fizik dhe Sporte, aktualisht me disa profile studimi (futboll, gjimnastikë), ka qenë një vlerë e shtuar.

Ashtu si për çdo program studimi, UET e ka të rëndësishme bashkëpunimin me tregun e punës: për të përmirësuar kurrikulat; për t’u përditësuar me të rejat që kërkohen nga tregu; për të siguruar intershipe; praktika pune apo edhe mundësi të tjera që përgatisin profesionalisht studentin.

Në këtë kuadër administratori i Universitetit Europian të Tiranës, Tildi Çadri nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me menaxheren e Repeat Group, Silvia Ceno, duke krijuar mundësi studentëve të sporteve, por jo vetëm, që të stërviten në ambiente mjaft moderne.

Marrëveshje bashkëpunimi mes UET dhe Repeat Group, përfitime jo

Duke folur për programet e sporteve, Çadri tha se universiteti ndërmori këtë vit një iniciativë të fuqishme me krijimin e skuadrës së vet të futbollit, Sport Club UET, ashtu siç ndodh në universitetet perëndimore, e kryesisht ato anglosaksone.

“Ne zgjodhëm futbollin dhe jemi shumë serioz në këtë investim. Skuadra jonë ka performuar shumë mirë në këtë drejtim. Ndeshjen e kaluar e fituam. Megjithatë na duhet marrëdhënia me tregun e punës”, theksoi Çadri.

Më tej ai u shpreh i lumtur për këtë marrëveshje me këtë brand të madh, duke shtuar se pikat e përbashkëta do të bëjnë të mundur që ky bashkëpunim të jetësohet plotësisht.

“Skuadra jonë stërvitet një herë në javë te ju. Por ne duam që pse jo, t’iu japim mundësi edhe studentëve të tjerë edhe stafeve tona për të përfituar nga shërbimet që ju ofroni. Po ashtu duam edhe ekspertizën tuaj përmes veprimtarive që ne kemi.”

Administratori i UET kërkoi më tej që Repeat Group të bëhet pjesë e Bordit të Punës, HR Club, Panairit të Karrierës apo eventeve të tjera që zhvillohen në universitet. Po ashtu u fol për mundësinë e praktikave apo intershipeve të studentëve të sporteve pranë këtyre ambienteve, për të marrë një eksperiencë të parë në treg.

Marrëveshje bashkëpunimi mes UET dhe Repeat Group, përfitime jo

Znj. Ceno mirëpriti këto mundësi bashkëpunimi, duke u shprehur se do të ketë benefite për të dyja palët.

Repeat Group është një nga qendrat sportive  më inovative në Shqipëri. Brenda ambienteve të saj të bollshme e komoode, të brendshme dhe të jashtme, zhvillohen një sërë sportesh, si: fitnesi, noti, tenisi, joga, pilatesi, etj.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH