Përshtati dhe përgatiti për Liberale.al, Laert MIRAKU
Dëshironi të dërgoni një imazh ose video të vetes tuaj në thellësi të universit për t'i treguar diçka çdo qytetërimi alien ose thjesht për t'i uruar një të dashur një ditëlindje të lumtur? Tani do të bëhet e mundur, falë projektit Star Bottle, i prezantuar pak ditë më parë në "Sala Caduti di Nassirya" në Senatin e Republikës së Italisë, me iniciativën e senatorit Gian Marco Centinaio, nënkryetar i Senatit.
NGA NJË ANTENË NË FUCINO
Në fakt, Star Bottle përfshin përdorimin e një pjate me diametër 11 metra në stacionin Fucino në Abruzzo për të dërguar mesazhe radio në hapësirë. Pak si ajo që u bë me mesazhin e famshëm Arecibo, i cili u dërgua 50 vjet më parë drejt grupit globular Hercules, ku do të arrijë në rreth 22,000 vjet. Dallimi është se ndërsa ai mesazh historik për ET-të, u konceptua nga astronomi amerikan Frank Drake, pionieri i Seti , sot çdokush mund të vendosë se çfarë të dërgojë në kozmos. “Është një lloj demokratizimi i aksesit në transmetimet hapësinore”, shpjegon Domenico Zambarelli, kreu i Star Bottle.
DATAT E POSTIMEVE TË PARA
Mesazhi (tekst, imazh, video ose audio) do të shndërrohet në një sinjal binar dhe do të dërgohet nga Fucino më 10 gusht, një datë simbolike që lidhet me yjet e verës, në drejtim të Rrugës së Qumështit , disku i galaktikës sonë. Frekuenca e transmetimit do të jetë 2,115 MHz, të cilën Mimit (Ministria e Biznesit dhe Made in Italy) ia ka caktuar, prej 20 vitesh, projektit Star Bottle. Dërgesa tjetër është planifikuar për 21 dhjetor 2024, solstici dimëror, ditën kur orët e ditës fillojnë të rriten sërish.
KUJT I DREJTOHET?
"Star Bottle, përtej pamundësisë ekstreme që këto mesazhe të merren nga një qytetërim alien", shpjegon Walter Riva, drejtor i Cosmo 2050, i cili mori pjesë në prezantimin në Romë, "mund të shërbejë për të tërhequr vëmendjen ndaj 'astronomisë së atyre njerëzve që ndoshta nuk do të shkonte kurrë në një konferencë shkencore apo do të vizitonte një planetar. Në një farë mënyre është një operacion komunikimi astronomik”. Të njëjtin mendim shpreh edhe Luca Perri astrofizikan, i pranishëm edhe në Romë: “Star Bottle shërben për të magjepsur njerëzit, shpresojmë të rinjtë, që dëgjojnë për këtë projekt dhe ndoshta njihen me astrofizikën dhe astronominë”.
Për më tepër, duhet konsideruar se projekti financohet vetë, falë tarifave të mesazheve dhe disa sponsorëve. “Me fjalë të tjera, nuk do të shpenzohen para publike, diçka që mund të ketë gjeneruar kritika në projekte të tjera”.
Dhe ka edhe një qëllim tjetër: «Një pjesë e të ardhurave do të përdoret për financimin e bursave që synojnë të rinjtë të mendojnë për një "alfabet" të mundshëm për të dërguar mesazhe në të ardhmen, për të komunikuar me qytetërime të mundshme jashtëtokësore". Për të nisur mesazhin tuaj me Star Bottle, i cili do t'i nënshtrohet një kodi etik për të parandaluar dërgimin e përmbajtjeve të papërshtatshme, 14,50 euro do të mjaftojnë për një tekst dhe 29 euro për një video.