Hapat determinues në formësimin e modelit demografiko-territorial të tranzicionit.
* Dr. Gentian Kaprata
Faza e tretë e urbanizimit të Shqipërisë në tranzicion (2011-2021) u formësua nga të njëjtat dinamika demografike sikurse edhe dy dekadat e para të tranzicionit. Ato shprehën të njëjtat forma prezanimi, duke përfshirë: (i) migracionin e jashtëm; (ii) migracionin e brendshëm; dhe (iii) rënien e rritjes natyrore të popullsisë.
Janë këto dinamika demografike që formësojnë modelin demografiko-territorial të vendit, apo thënë më thjeshtë, modelin e shpërndarjes së demografisë nëpër strukturën hapsinore të qendrave të banuara të vendit.
Matja e shpërndarjes së popullsisë nëpër territorin kombëtar së pari kërkon përcaktimin e nivelit demografik që banon në Shqipëri, dhe kjo matet nëpërmjet dy komponentëve formësues të saj: (i) migracioni i jashtëm, që tregon se në çfarë mase sasiore u zvogëlua popullsia (përgjatë kohës së marrë në studim); dhe, (ii) rritjen natyrore të popullsisë, e cila prezantohet si diferencë midis lindjeve dhe vdekjeve të ndodhura në të njëjtën periudhë.
Fatkeqësisht, migracioni i jashtëm (2011-2021) ka qenë determinues për këtë periudhë kohore, dhe ka drejtuar në uljen e ndjeshme të popullsisë në vend. Të shprehura në shifra migracioni i jashtëm ka rezultuar me: 18.046 individë në vitin 2014; rreth 17 mijë në vitin 2015; rreth 8 mijë në vitin 2016; 14.902 në vitin 2017; 15.030 banorë në vitin 2018; 23.082 në vitin 2019; 16.684 në vitin 2020; 32.853 në 2021; dhe, 32.497 në vitin 2022.
Sikurse dallohet ai ka vijuar, edhe në këtë dekadë sikurse dy dekadat e para, por me diferencën se përcaktimi i tij, nuk vjen nga një matje empirike (Census) e INSTAT, sikurse ka ndodhur në dy dekadat pararendëse. Kjo për arsye se INSTAT, nuk ka arritur të deklaroj statistikat e mbledhura në Censusin e 2023, megjithëse edhe ky census është vonuar me tre vite. Në këtë kuptim, statistikat e përdorura vijnë nga raportet e përvitshme të INSTAT ‘Popullsia e Shqipërisë’ (2015-2023). Këto raporte shprehin shifra të migracionit të jashtëm, që INSTAT i ka arritur nëpërmjet llogaritjes teorike (Komponenti i Gjeneratës), dhe jo një matje empirike (Census), çfarë vë në dyshim saktësinë e të dhënave.
Në total, referuar shifrave dhe analizave demografike të ardhura nga INSTAT dhe Revista Monitor mund të themi se në periudhën 2014-2023 nga Shqipëria janë larguar 178,094 banorë më shumë se janë kthyer. Ajo që dallohet, gjithashtu, është se ky numër është rritur shumë në dy vitet e fundit, çfarë tregon edhe trendin e ardhshëm të fenomenit.
Një kontributor tjetër në këtë fenomen bazik kombëtar mbetet niveli i rritjes natyrore të popullsisë, e cila shprehet në diferencën midis lindjeve dhe vdekjeve. Faktori kryesor i saj është Indeksi i Fertilitetit (numri mesatar i fëmijëve të lindur nga një grua), i cili në vitin 2022 shënoi rekord historik me vetëm 1.21 fëmijë për një grua. Kjo statistikë bazike demografike ka pësuar një dinamikë rënëse, sepse në vitin 2018 shprehej me 1.37 fëmijë për një grua nga 1.48 fëmijë më 2017 dhe nga 1.73 fëmijë për grua që ky indeks ishte në vitin 2014.
Në terma numerikë, rritja natyrore e popullsisë së Shqipërisë, ishte: 35.760 banorë të rinj në vitin 2014; 10.799 në vitin 2015; rreth 11 mijë në vitin 2016; 8.637 në vitin 2017; 7.130 në 2018; 6.624 në vitin 2019; 470 banorë në vitin 2020; -3.296 në vitin 2021 (ku për herë të parë rritja natyrore ishte negative); dhe 690 në vitin 2022. Ajo që dallohet nga këto shifra demografike është fakti se përgjatë viteve 2014-2022 Shqipëria: (i) është rritur me 42,054 banorë të rinj, si pasojë e rritjes natyrore (diferenca lindje-vdekje); dhe, kjo rritje ka ardhur përgjithësisht në trend rënës, ku vlen për tu diferencuar viti 2021 ku rritja natyrore është negative.
Një fenomen tjetër demografik shumë negativ, që shoqëroi këtë dekadë ishte plakja e popullsisë banuese. Treguesi i moshës mediane u rrit nga 34 vjeç në 2015: në 35 vjeç në 2016; në 35,0 vjeç në 2017; në 35,4 vjeç në 2018; në 36,7 në 2019; në 37,2 vjeç në 2020; në 37,6 vjeç në 2021; në 38,2 vjeç në 2022. Këto shifra dhe analiza demografike tregojnë se në këtë dekadë popullsia ka pësuar rënie të ndjeshme si pasojë e migracionit të jashtëm, por edhe përshkak të rënies së nivelit të rritjes natyrore të popullsisë. Kurse plakja e popullsisë banuese – nëpërmjet rritje së ndjeshme të moshës mediane që është edhe grupmosha që ndikon më shumë rritjen natyrore të popullsisë - tregon trendin e së ardhmes në këtë aspekt demografik.
Nëse dinamikat e emigracionit të brendshëm dhe rritjes natyrore të popullsisë përcaktojnë nivelin demografik të vendit, janë dinamikate migracionit të brendshëm (të popullsisë banuese në vend) që përcakton shpërndarjen e popullsisë nëpër strukturën hapsinore të qendrave të banuara të vendit. Lëvizjet migratore të brendshme në periudhën kohore 2011-2021 ndjekin trendet e dy periudhave të mëparshme, 1991-2001 dhe 2001-2011. Migracioni i brendshëm, solli një urbanizim në shkallë të gjerë të disa zonave dhe në një depopullim drastik të disa të tjerave.
Skema e migracionit të brendshëm - sikurse në dy dekadat e para- mbështetet në katër linjat kryesore të zhvendosjes së popullsisë, nga të cilat tri në drejtim të zonës qendrore të vendit dhe specifikisht në qarqet e Tiranës dhe Durrësit, dhe një në drejtim të Ultësirës Perëndimore dhe veçanërisht në qarqet Vlorë dhe Fier. Ato kontribuan në thellimin e mëtejshëm në diferencës demografike midis tre rajoneve kryesore të vendit: Rajoni i Madh Tiranë- Durrës; Rajoni i Mesëm Fier- Vlorë (Rajoni i tipit Ideal); dhe, Rajoni i Braktisur që përfshin tetë qarqet e tjera të vendit. Lëvizjet migratore të brendshme dhe rezultatin e tyre në lidhje me nivelin e popullimit dhe urbanizimin, janë qartësisht të dukshme edhe në nivel ndër-qarqesh.
Për periudhën 2014-2016 mund të thuhet se, duke përjashtuar Elbasanin, qarqet e Tiranës, Fierit, Durrësit dhe Vlorës, pësuan rritje dhe mbajnë peshën kryesore të popullsisë së përgjithshme, e cila shprehet me rreth 58% të popullsisë kombëtare. Kjo do të thotë se dy rajonet e ‘koncentruar’ të modelit territorial të koncentrim-braktisjes së territorit nga popullsia janë densifikuar, ndërsa qarqet e Rajonit të Braktisur kanë humbur popullsi.
E shprehur ne përqindje, në fund të kësaj periudhe (2014-2016): Tirana përfshiu rreth 30% të popullisë, duke vijuar të jetë qarku më i populluar në vend, e ndjekur nga Fieri me 11%, Durrësi e Elbasani me 10% dhe Vlora me 7% të popullisë së përgjithshme kombëtare. Nga ana tjetër: Gjirokastra përfshiu 2% të popullsisë, duke vijuar të jetë qarku me nivelin më të ulët të popullsisë, e ndjekur nga Kukësi me 3%, Dibra dhe Lezha me 4%, dhe Berati me 5% të popullsisë së përgjithshme kombëtare.
Lëvizjet demografike të brendshme vijuan të kontribuojnë në thellimin e diferencave demografike midis tre rajoneve të vendit, edhe në periudhën 2017-2019. Qarqet e mëdha vijojnë të mbeten të tilla dhe të rriten më tej, ndërsa qarqet e vogla do të vijojnë të zvogëlohen.
Panorama e raportit të peshës midis dy rajoneve ‘koncetrues’ të modelit territorial qartësohet më tej, me një dominacë të dukshme të Rajonit të Madh Tiranë-Durrës me një rritje rreth 40 herë më e lartë se e Rajonit Fier-Vlorë, vetëm në vitin 2018. E shprehur në përqindje, për këtë periudhë tre vjeçare: Tirana u rrit nga 30% në 31.8%, Durrësi nga 10% në 10.2%, Fieri nga 11% ra në 10.2%, Vlora nga 7% ra në 6.5%, Elbasani ra nga 10% në 9.5 %. Sa i përket qarqeve të tjerë, pesë prej tyre zënë 2% deri 4.3% të popullsisë gjithsej, ku: Berati pëson rënie nga 5% në 4.3% dhe Kukësi nga 3% në 2.7%.
Edhe në tre vitet në vijim, 2020-2022, lëvizjet demografike të brendshme vijuan të kontribuojnë në thellimin e diferencave demografike midis tre rajoneve të vendit. E shprehur në përqindje; Tirana u rrit nga 31.8% në rreth 33,5 %, Durrësi nga 10.2% në 10.5%, Fieri nga 10.2% ra në 9.85, Elbasani ra nga 9.5 % në 9.2%. Sa i përket qarqeve të tjerë, pesë prej tyre humbën popullsi nga 2% deri 4.3% në 1,9 % deri 4,1 % të popullsisë gjithsej. Kjo dinamikë demografike do të diferencoj, më tej, edhe raportet e nivelit të popullimit midis qarqeve formuese të të njëjtit rajon, veçanërisht midis qarqeve të dy rajoneve që po përjetojnë koncentrim të popullsisë. Sikurse dallohet Tirana është rritur me 1.7% ndërsa Durrësi me vetëm 0.3%, ndërkohë që Vlora është rritur me 0.1% ndërsa Fieri ka rrënë me 0.35%.
Dinamika më evidente ishte fakti se nëse në periudhat e mëparshme (i) (2014-2016), janë rritur pesë qarqe kryesore të vendit (Elbasan, Tiranë, Fier, Durrës dhe Vlorë), dhe (ii) (2016-2019) vetëm tre qarqe (Tiranë, Fier, Durrës) përgjatë kësaj periudhe (2020-2022): në vitin 2020 janë rritur vetëm dy qarqe (Tirana dhe Durrësi); kurse, në vitin 2022 është rritur vetëm një qark (Tirana).
Kjo diferencë statuon modelin demografiko-territorial të vendit dhe dominimin e Qarkut të Tiranës ndaj 11 qarqeve të tjera të vendit. Ndërkohë që edhe brenda të njëjtit qark, dinamikat e migracionit të brendshëm kanë favorizuar qendrat urbane në raport me qendrat rurale, dhe veçanërisht qendrat urbane kryesore të qarkut. Kjo do të prodhonte një model piramidal të shpërndarjes së popullsisë nëpër territorin kombëtar.
* Autori është pedagog në Universitetin Europian të Tiranës
*Artikulli është publikuar në revistën shkencore “Ingenius 3”, issue 2, e cila botohet dy herë në vit nga Fakulteti i Inxhinierisë, Informatikës e Arkitekturës në UET.