Aktualitet

UET dhe UST, marrëveshje bashkëpunimi për kërkimin shkencor

Shkruar nga Liberale

Universiteti Europian i Tiranës dhe Universiteti i Sporteve të Tiranës nënshkruan të mërkurën një marrëveshje bashkëpunimi, në kuadër të rritjes së cilësisë akademike dhe kërkimit shkencor, në fushat përkatëse të ofruara, posaçërisht programi i studimit i Edukimit Sportiv dhe Sporte nga të dy institucionet e arsimit të lartë publik dhe jo publik. Kjo marrëveshje vjen fill pas mermorandumit të bashkëpunimit që u nënshkrua më 22 dhjetor mes UET-së dhe Universitetit të Tiranës, duke ngritur kështu siparin e një rrugëtimi të ri për arsimin e lartë në Shqipëri, që kapërcen ndasitë e kontekstit të themelimit apo organizimit dhe bëhet bashkë në emër të standardeve të cilësisë, si një e mirë publike.

Marrëveshja mes UET-së dhe UST-së u nënshkrua nga rektorët përkatës, Prof. Dr. Tonin Gjuraj dhe Prof. Dr. Agron Kasa, të cilët nënvizuan rëndësinë e saj dhe atë çka ofron secili institucion, në pjesën e shkëmbimit material dhe akademik, por edhe atë të kërkimit shkencor.

Prof. Dr. Tonin Gjuraj, falenderoi rektorin e UST-së për kontributin e tij personal në themelimin dhe ngritjen e programeve të sporteve në UET, teksa kërkoi mbështetjen në vijimësi, që Departamenti i Psikologjisë, Edukimit dhe Sporteve, tashmë 3 vjeçar, të fuqizohet dhe integrohet më tepër nëpërmjet shkëmbimit dhe kërkimit shkencor.

“Ju keni një bazë didaktike, infrastrukturë, një logjistikë që është goxha e avancuar. Duke qenë se departamenti është i ri, nevojat tona janë më të mëdha, prandaj kërkoj mbështetjen tuaj në këtë drejtim. Nevojat tona janë të shumanshme, që nga kualifikimi e mbështetja e stafit, sa i takon edhe promovimit akademik. Në lidhje me praktikën, ne presim edhe ekspertizën tuaj për mënyrën e veprimit në kushtet e pandemisë, pasi është një situatë e jashtëzakonshme. Fushat e tjera janë të përbashkëta. Ne kemi më shumë përvojë sa i takon projekteve, pa modesti, jemi mjaft mirë në fushën e aplikimeve të përbashkëta që ne mund të bëjmë në kuadër të Erasmus+ apo Horizont 2020, apo edhe projekteve në planin rajonal e kombëtar”, u shpreh Gjuraj.

Rektori i UET-së, theksoi se në këtë periudhë pandemie, dy fjalët kyçe janë solidariteti dhe bashkëpunimi dhe falë kësaj fryme do arrihet kapërcimi dhe më tej suksesi.

Rektori i Universitetit të Sporteve të Tiranës, Prof.Dr. Agron Kasa tha se kjo është marrëveshja e dytë që nënshkruhet mes institucioneve, pasi e para është nënshkruar që në momentet e para të themelimit të departamentit të sporteve në UET. Kasa bëri më tej një rezyme të fakulteteve, duke e vendosur theksin tek hapja e fakultetit të ri për rehabilitimin në UST, i cili do të përgatisë specialistët e parë në këtë fushë, ndërsa veçoi më tej oportunitetet që ofrohen nga ky universitet.

Universiteti ynë ka një bazë laboratorike, pra pajisje, që shkojnë rreth gjysmë miliard lekë (të vjetra), që janë vetëm për kërkimin shkencor. Përveç auditorëve që janë të pajisura me të gjithë electronic devices, kemi një bibliotekë të pajisur me librat më të mirë, që i kalojnë vlerën e 100 milionë lekë, ku studentët kanë një bazë literature të fundit. Kemi sjellë 60 librat e fundit, të këtij viti, ashtu si edhe ligji e ka të përcaktuar që kërkimi shkencor duhet të jetë i mbështetur në literaturën e 10 viteve të fundit. Në institucion kemi mundësi që të garantojmë një cilësi pune. Edhe ne sigurisht jemi në një proces reformimi, jo sepse çdo rektor duhet të bëjë reformim, por që po përpiqemi të ndërtojmë një strategji”, u shpreh Kasa.

Rektori i UST-së theksoi, se duhet thyer mentaliteti obskur që përqendrohet tek mbyllja dhe vetja, për të qenë më vizionar dhe të hapur drejt bashkëpunimit.

“Do të duhen disa pionerë që ta thyejnë këtë rregull me pak rebelim, në mënyrë që nëpërmjet bashkëpunimeve marrin vetëm avatazhe, për shkak se secili ka pikat e veta të forta dhe duke bashkëpunuar dhe bashkuar pikat e forta, secili në linjën e vet, secili merr përfitimet e veta dhe në fund ai që na provon të gjithëve ne është tregu i punës, i cili na tregon se ku jemi. Ne duhet të guxojmë dhe t’i thyejmë mentalitet. E vërteta është, se këto marrëveshje bashkëpunimi, për shkak të mentalitetit obskur, që ka edhe brenda botës akademike në Shqipëri, bashkëpunimi ka njëlloj paragjykimi. Ne duhet të shohim përpara”, tha Kasa. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH