Konkurrenca mes llojit është e domosdoshme, jo më për mbijetesën por tashmë për zhvillimin, në të gjitha fushat e jetës. Por nëse flasim specifikisht për arsimin e lartë privat në Shqipëri, Universiteti Europian i Tiranës ka fituar këtë betejë të rëndësishme, falë elementëve që e diferencojnë në treg.
Sot do të përqendrohemi në një element që e bën të vetëm në llojin e vet në Shqipëri dhe ajo është marrëdhënia që krijon me studentët gjatë periudhës që janë pjesë e tij, por edhe pasi diplomohen në këtë universitet.
Kjo marrëdhënie është një tregues se UET është një ‘ndjekës’, partner dhe vlerësues i karrierës dhe jetës së ish-studentëve, pasi ata mbeten në një farë mënyre përçuesit e praktikave më të mira dhe standarteve që UET ka krijuar.
Por si është formësuar kjo marrëdhënie?
Për këtë arsye, prej 13 majit 2010 është krijuar shoqata “UET ALUMNI”. Ky organizëm mban kontakte me ish-studentët dhe ndjek në vazhdimësi ecurinë e karrierës së tyre brenda dhe jashtë vendit, një rrjetëzim i suksesshëm për të shkëmbyer eksperienca. Drejtuesit në vite të kësaj shoqate kanë qenë Rudin Lala, Ervin Saljani, Eneda Tarifa dhe aktualisht Adela Danaj.
Gjithashtu, prej vitit 2013, “UET ALUMNI” akordon çdo vit “Çmimin e Karrierës”, fituesit e të cilit janë personazhe të njohura publike dhe të suksesshme në tregun vendas.
Për të shtatin vit radhazi shoqata e ish-studentëve të Universitetit Europian të Tiranës, nominon disa prej tyre dhe votohet për ish-studentin më të suksesshëm.
Fituesit ndër vite
Më poshtë po ju risjellim në vëmendje fituesit ndër vite dhe përjetimet e tyre gjatë marrjes së këtij çmimi.
I pari që ngriti siparin për marrjen e këtij çmimi ka qenë Ardit Çela, i cili u vlerësua gjatë periudhës që ishte Drejtor i Postës Shqiptare. Ai studioi në UET për “studime menaxheriale” dhe gjatë marrjes së çmimit në një ceremoni organizuar në ambientet e Universitetit, u shpreh se koha i tregoi se kishte bërë zgjedhjen e duhur.
“Midis shumë alternativave zgjodha UET. Jam i bindur që kam bërë mirë, kursimet e prindërve të mi që janë investuar ia kanë vlejtur. Sot vazhdoj studimet doktorale në këtë universitet. Po të mos isha i kënaqur nuk do t’i vazhdoja kurrsesi këtu, pasi ky është një universitet që nxit suksesin dhe do inkurajoja këdo, kudo që të ketë mbaruar një cikël studimesh ta kryejë pranë UET”, tha Çela.
Në vitin 2014 fituesja e Çmimit të Karrierës ishte Esmeralda Shkjau. Emri i saj është i njohur për shumëkënd, pasi ajo u zgjodh deputete e Durrësit nën siglën e Partisë Socialiste.
Një vit më vonë këtë çmim do ta rrëmbente djali nga Kosova, Agi Haxhimurati, që studioi në UET në degën e Komunikim-Design. Në vitin që fitoi çmimin, Haxhimurati ka qenë një ndër dizajnerët më të përfolur jo vetëm në Shqipëri, por dhe jashtë kufijve për punët e tij. Ai njihet edhe si autori i BUNK’Art.
Suzana Numani ishte një tjetër e përzgjedhur nga “UET Alumni” në vitin 2016. Numani kryer master për Sociologji Politike në UET në vitet 2009-2011, ndërsa kishte vite që i kushtohej sipërmarrjes së saj në arsimin privat. Menaxherja e shkollës “Numani” në Fier, do të shprehej se “gjithë vitet e karrierës ishin më të thjeshta se sa ky çmim karriere”.
Në 2018 “Çmimi i Karrierës” u fitua nga Fation Shehu, i cili e quajti një vlerësim të dyfishtë.
“Është vlerësim i dyfishtë sepse vjen nga universiteti që ka ndikuar më shumë në karrierën time. Unë jam brezi i parë i UET dhe brezi ynë është brezi që ka parë rritjen e këtij universiteti ditë pas dite. Ne si brez i parë kemi zgjedhur dy elemente të rëndësishme tek UET. Kemi zgjedhur besueshmëri dhe cilësinë maksimale të stafit të përzgjedhur”, u shpreh Shehu.
Një vit më vonë çmimi iu akordua Ira Elbasanit, e diplomuar në vitin 2009 në Degën Marrëdhënie Ndërkombëtare. Ajo njihet si bashkëthemeluese e “We Translate Albania”. E veçanta e “Çmimit të Karrierës” së këtij viti, ishte se u nominuan ish-studentët e brezit të parë të diplomuar në UET.
“Aseti më i çmuar i këtij universiteti është pikërisht stafi pedagogjik, i cili bën diferencën në një ambient të mirëfilltë pedagogjik. Kështu që këshilloj me shumë dashamirësi të gjithë studentët që të përfitojnë maksimumin nga stafi akademik, prej të cilit unë vetë personalisht kam përfituar shumë, u jam drejtuar për këshilla, të cilat nuk m’i kanë kursyer dhe më kanë rezultuar shumë të vlefshme”, do të shprehej Elbasani.
UET Alumni do të vazhdojë këtë traditë të shkëlqyer. Viti 2020 shënon 10-vjetorin e diplomimit të brezit të dytë në UET dhe të 10 të nominuarit për Çmimin e Karrierës i përkasin këtij viti. /Gazeta Liberale