Globi

Tre të arrestuar nën dyshimet për krime lufte në Kosovë

Shkruar nga Liberale
Tre të arrestuar nën dyshimet për krime lufte në Kosovë

Prokuroria e Posaçme e Kosovës tha se tre pjesëtarë të komunitetit serb në Kosovë janë arrestuar nën dyshimet për krime lufte kundër popullatës civile.

Njoftimi i prokurorisë nuk jep hollësi të tjera, përveç faktit se të arrestuarve u është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Arrestimet nxitën reagimin e zyrtarëve serbë, të cilët thanë se ato janë të “motivuara politikisht”.

Lista Serbe, partia më e madhe politike serbe në Kosovë, nëpërmjet një reagimi në rrjete sociale akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se me këtë veprim po vazhdon, siç tha, “planin për zgjidhjen e çështjeve të hapura politike me dhunë e forcë”.

“Po i trajton serbët e Kosovës si pengje në procesin negociues, të cilët ai mund t’i sulmojë kurdo që ai dëshiron dhe kësisoj t’i dërgojë mesazh Bashkimit Evropian se nuk mund t’i bëjë asgjë atij”, thuhet në reagim.

Lista Serbe po ashtu i bëri thirrje KFOR-it dhe EULEX-it “të parandalojnë ndërhyrjet nga forcat e posaçme të policisë dhe provokimet e tjera që rrezikojnë paqen dhe shkaktojnë tensione”.

Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë, tha se “do t’i informojë përfaqësuesit dhe misionet ndërkombëtare” se “çdo gjë që bën Prishtina ka për qëllim që të nxis tensione dhe probleme të reja në terren”.

Drejtori i kësaj zyreje, Petar Petkoviç, tha në një konferencë për media se qëllimi i kryeministrit Kurti është të përjashtojë serbët dhe të nisë një luftë.

“Në dy muajt e fundit, serbët nuk kanë bërë asgjë për të dëmtuar askënd. Ata nuk kanë sulmuar askënd. Ata e jetojnë jetën e tyre ashtu siç dinë. Para se të nisej për në Bruksel, vetë Kurti tha se në veri është qetë”, theksoi ai.

Mbi 10 mijë veta u vranë dhe mbi 5 mijë llogariteshin të zhdukur në fund të luftës në Kosovë e cila mori fund me ndërhyrjen e forcave të NATO-s, që i dha fund mizorive të forcave serbe.

Sipas të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare, që nga përfundimi i luftës nga sistemi gjyqësor vendës dhe ndërkombëtar janë dënuar rreth 70 persona për krime lufte, pjesa më e madhe të përkatësisë kombëtare shqiptare./VOA

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH