Kryesore

Shqipëria 1911-1914, në dritën e arkivave britanike

               Publikuar në : 09:28 - 28/10/20 liberale

Kolana UETPRESS- 15 vjet

Titulli: Shqipëria 1911-1914

Autor:  Romeo Gurakuqi

Prof.Dr. Nevila Nika

Disa vite më parë një miku im, pinjoll i një prej familjeve më në zë të Çamërisë, por që jetonte prej shumë vitesh në Shkodër, më rrëfeu një histori jo vetëm të këndshme, por mjaft domethënëse. Në pak fjali jepej ideja se çfarë po ndodhte me shqiptarët, të detyruar të jetonin nën diktaturë.

“U takuan dy miq mbas shumë vitesh. Mbasi u përshëndetën pyetën njëri tjetrin për familjet e të afërmit. Njëri prej tyre, për habinë e mikut të vet, u shpreh se në përgjithësi gjithçka e kishte në rregull, veçse e mundonte fakti se po i kalbej fjala në bark”.

Thënia e Herodotit “të tregosh atë që ishte”, thënie që u përdor edhe nga historianë të tjerë pas tij, se “historiani kërkon vetëm të përshkruajë gjërat ashtu siç kanë ndodhur”, nënkupton se ai duhet të fshihet përpara fakteve. Por, si shumë thënie të tjera, edhe kjo ia detyron fatin dykuptimsisë. Në të ka një këshillë ndershmërie dhe një këshillë pasiviteti, të cilat të çojnë në përfundimin e paanëshmërisë historike. Ka dy mënyra për të qenë i paanëshëm, ajo e shkencëtarit dhe ajo e gjykatësit. Dhe që të dy kanë të përbashkët nënshtrimin ndaj të vërtetës.

Nëse historia ka grumbulluar fakte e dokumente, ajo i ka vrojtuar ato dhe natyrisht i shpjegon. Detyra e saj mbaron këtu. Kurse gjykatësit i mbetet të japë një vendim për një problem të dhënë. Atëherë duhet të pranojmë se rrugët e tyre këtu ndahen. Këtu më duhet të ndalem pak.

Historianët për një kohë të gjatë janë konsideruar si gjykatës të ngarkuar për t’ju dhënë heronjve të vdekur lëvdata ose qortime. Kështu ata duke mos pasur formim të shëndoshë shkencor apo thjesht duke punuar në regjime diktatoriale nuk kanë qenë në gjendje t’i përmbahen të vërtetës historike ose, edhe më keq, të fshehin ose të shtrembërojnë faktet historike.

Një fat të tillë e ka vuajtur edhe historigrafia shqiptare, e cila gjatë dhjetëvjeçarëve të sistemit komunist ka qenë në më të shumtën e rasteve e shtrënguar të shtrembërojë dhe të fshehë fakte dhe të zbehë deri në mohim të plotë kontributin dhe rolin e personaliteteve të shquara të historisë tonë kombëtare.

Shqiptarët mendoj se janë ndër të paktët popuj që për gati gjysmë shekulli patëm shumë pak ose aspak mundësi për t’u informuar. Çdo dritare e derë e mbyllur, asnjë lidhje me botën e qytetëruar. Çdo informacion i kontrolluar e i kaluar në filtrin partiak. Pasojat natyrisht që nuk qenë aspak të këndshme.

Përmbysja e regjimit komunist kuptohet se nuk pruri automatikisht dhe ndryshimin e gjithçkaje që kish ndodhur më parë. Kanë kaluar rreth 22 vjet nga shembja e murit absurd shqiptar dhe shumë gjëra tashmë kanë ndryshuar në jetën e shqiptarëve. Por ajo që do të doja të vija në pah është fakti se përpjekjet për të mbushur zbrazësinë e trashëguar nga regjimi diktatorial në zemrat e mendjet tona ende nuk janë të mjaftueshme.

Një historian, në se nuk ka në duar burime arkivore mendoj se është më mirë të mos niset të shkruajë. Historianëve tanë u ka munguar liria për të pasur mundësinë e këshillimit me dokumente origjinale, jo vetëm në arkivat e huaja, por çuditërisht edhe në ato shqiptare. U ka munguar liria e të gjykuarit me paanëshmëri të fakteve e ngjarjeve dhe, më në fund, u ka munguar edhe liria e të shprehurit e të menduarit ndryshe. Pra është lehtësisht e kuptueshme se një vepër e bazuar në burime arkivore tregon se gjithçka që do të kesh fatin e mundësinë për të lexuar është shumë afër të vërtetës.

Gjatë këtyre viteve të fundit publiku shqiptar ka pasur rastin të ketë në duar shumë punime me autorë shqiptarë e të huaj. Punime që, për hir të së vërtetës, kanë ngjallur jo pak debate, jo vetëm në mjediset akademike, por edhe në opinionin publik. Me studimin e historisë sonë kombëtare u angazhua një masë jo e vogël intelektualësh, që ndoshta pak kishin të bënin me historinë si shkencë. I gjithë ky zell për t’u marrë me shkrime historiografike ishte padyshim rrjedhojë e mungesës së gjatë të një historie të shkruar me vërtetësi, me paanëshmëri dhe të bazuar mbi kritere të shëndosha shkencore.

Gjithsesi kur marrim në duar punime si ky i Prof. Romeo Gurakuqit, ndjen se rrugëtimi drejt të vërtetës ka nisur për mbarë. Ky punim bën pjesë, pa mëdyshje, ndër veprat të cilat nuk duhet t’i mungojnë asnjë biblioteke, jo vetëm të atyre që janë të dashuruar me historinë. I bazuar mbi një dokumentacion jashtëzakonisht interesant dhe pothuaj krejtësisht të panjohur më parë, jo vetëm prej opinionit publik, por edhe prej historianëve shqiptarë, të qëmtuar prej vetë autorit ndër vite në arkivat e jashtëzakonshme britanike, ai është me të vërtetë mbresëlënës.

Autori është përqëndruar në studimin e rrjedhës së ngjarjeve të viteve 1911 e deri në 1914. Duke analizuar me mjaft profesionalizëm dokumentet me prejardhje britanike dhe jo vetëm, ai na përcjell pothuaj krejtësisht një këndvështrim të ri të ngjarjeve e personazheve historikë të atyre viteve. Prof. Gurakuqi ka ditur të qëndrojë me mjeshtëri “me këmbë në tokë”, për faktin e thjeshtë se ai nuk i ndahet për asnjë çast dokumentit arkivor.

Larmia e dokumenteve të cituara në punim i jep studimit një vlerë të jashtëzakonshme. Na jep mundësinë jo vetëm të lexojmë analizën e tyre të bërë me profesionalizëm nga vetë autori, por njëkohësisht të njihemi edhe me dokumentin origjinal e prejardhjen e tij.

Besoj se përpjekja e bërë nga Prof. Gurakuqi për të na përcjellë të dhëna krejtësisht të reja për një numër figurash historike, si Ded Gjo Luli, Mehmet Konica, Prenk Bibdoda, Ismail Qemali etj; marrëdhëniet e malësorëve kryengritës me Malin e Zi dhe pesha e këtij të fundit në fatet e kryengritjeve antiosmane; kontributin e klerit katolik në lëvizjen kombëtare; organizimin e zhvillimin e lëvizjeve të armatosura në Veri e Veri-Lindje të Shqipërisë; politikën e Fuqive të Mëdha drejtpërdrejt të interesuara për fatin e shqiptarëve; politikën e Portës së Lartë ndaj përpjekjeve të shqiptarëve për Pavarësi, ndërtimin shtetëror etj., ia ka arritur plotësisht qëllimit. /Gazeta Liberale

Tags: , , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back