AFP, reportazh për ish-Metalurgjikun: 'Çeliku i Partisë' dikur punësonte 10,000 punëtorë në 500 fabrika, sot një nga vendet më të ndotura në Ballkan
Dikur krenaria e regjimit komunist në Shqipëri, kompleksi gjigant i metalurgjikut të Elbasanit është tani një nga vendet më të ndotura në Ballkan, i ngarkuar me qindra mijëra tonë mbetje, shumica e tyre të rrezikshme.
E ndërtuar në vitet 1970 me ndihmën kineze, kantieri i madh "Çeliku i Partisë" dikur punësonte 10,000 punëtorë në 500 fabrika gjatë diktaturës së Enver Hoxhës.
Tani vetëm një e dhjeta e këtij numri punon në fabrikat e privatizuara që kanë mbijetua.
Megjithë rreziqet dhe erën e keqe, çdokush mund të hyjë në zonë. Shumë sigurojnë jetesën duke pastruar grumbujt e mbetjeve të rrezikshme në kërkim të metaleve për t'i rishitur.
"Kjo është një zonë ku 1.5 deri në dy milionë ton mbetje të rrezikshme janë ruajtur për më shumë se 35 vjet, duke ndotur ujin, ajrin dhe tokën," tha për AFP Beqir Kila, një aktivist dhe inxhinier i shquar mjedisor shqiptar.
Analizat e kryera nga grupe të ndryshme ekspertësh të pavarur treguan nivele të plumbit, nikelit dhe kromit të paktën tre herë më të larta se kufijtë evropianë, tha ai.
Agjencia Shqiptare e Mjedisit tha se kompleksi, vetëm pesë kilometra nga qyteti i Elbasanit, kryeson listën e "zonave me rrezik të lartë me një potencial të lartë për ndotje nga mbetjet e metaleve të rënda si ferronikel dhe ferrokrom, një trashëgimi që vazhdon të ndotë ujërat e lumit Shkumbin" në një raport që u publikua në janar.
Megjithatë, autoritetet nuk po propozojnë asnjë zgjidhje, paralajmërojnë ambientalistët.
“Të lëna në ajër të hapur, në mëshirën e kushteve atmosferike, këto mbetje pësojnë ndryshime dhe të gjithë elementët e rrezikshëm dhe toksikë që përmbajnë depërtojnë në tokë dhe ujë”, paralajmëroi Kila duke treguar duart e mbuluara me pluhur të zi.
Për vite me radhë, zona në luginën qendrore pjellore të Shqipërisë është përhumbur nga raportet për shkallë të lartë të kancerit dhe defekteve të lindjes.
“Emetimet e plumbit kanë shkaktuar dështim të trurit, sidomos te fëmijët, por edhe probleme gjenetike te gjedhët dhe shpendët”, tha Kila.
Uzinat e çelikut kanë këmbëngulur prej kohësh se po ndjekin rregullat, por as ato dhe as qeveria shqiptare nuk iu përgjigjën kërkesave të AFP-së për koment.
“Ne e konsiderojmë katastrofike ndotjen në zonën industriale të ish-kompleksit të çelikut të Elbasanit”, tha eksperti mjedisor Ahmet Mehmeti.
Krahas problemeve nga fabrikat e vjetra, të rrënuara, shumë prej të cilave janë në rrezik shembjeje, ka edhe ndotje nga fabrikat e reja, paralajmëroi ai. Shifrat zyrtare për ndotjen e ajrit rreth Elbasanit nuk ekzistojnë dhe vlerësimi i cilësisë së ajrit bëhet nga vetë fabrikat.
"Lojë e fshehtë me autoritetet u përshtatet në mënyrë të përkryer kompanive", tha Mehmeti, pasi ata janë të interesuar për uljen e kostove dhe jo për nivelet e ndotjes. Një ekip i AFP-së pa një oxhak që nxirrte tym të zi në vend. Por kur shkoi një kameraman me dron, tymi u ndal papritur.
“Mbetjet përmbajnë krom, nikel, zink... shkarkimet kalojnë në ujë, derdhen në lumin e afërt, i cili përdoret për ujitjen e tokës dhe përfundon me frutat dhe perimet në pjatën tonë”, tha Mehmeti.
Shqipëria eksporton mbetje të rrezikshme dhe jo të rrezikshme që nuk lihen në vend pasi nuk është në gjendje t'i trajtojë vetë. Korrikun e kaluar, gjithsej 102 kontejnerë të mbushur me mbetje u nisën nga Shqipëria për në Tajlandë, ku do të ricikloheshin.
Por pasi një denoncues raportoi se mbetjet dyshohej se ishin toksike dhe nuk ishin regjistruar si të tilla, ato u kthyen dhe ndodhen në Shqipëri që prej nëntorit.
Shqipëria ka një ligj për eksportin e mbetjeve të rrezikshme dhe jo të rrezikshme, por problemi qëndron në mungesën e kontrollit mbi procedurat dhe dokumentet”, tha aktivisti mjedisor Lavdosh Ferruni. Prokuroria publike në portin e Durrësit ka hapur një hetim me Zyrën Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) mbi rastin.
Ndërkohë mbetjet e dyshuara toksike mbeten në Shqipëri.
/Liberale.al/