Sociale

SHIFRA E DITËS: 27 ton mish fileto pule i infektuar nga Brazili. A është ky një krim kundër qytetarëve shqiptarë?

Shkruar nga Aranit Muraçi

SHIFRA E DITËS: 27 ton mish fileto pule i infektuar nga Brazili. A

A janë shqiptarët të sigurt për gjithçka që konsumojnë?! Eksportet i kontrollojnë vendet e tjera dhe shpesh kur produktet tona hasin probleme ato kthehen pas. Por çfarë ndodh me importet, produktet ushqimore që vijnë nga jashtë?

Mandarina me pesticide, peshku (açuket) me parazitë dhe së fundmi mishi i pulës me Salmonella Typhimurium! Ky është realiteti ku jeta e shqiptarëve vlen më pak se interesat e disa institucioneve të paafta, të kapura dhe që kanë dështuar spektakolarisht në misionin e tyre. Që nga muaji tetor e deri më sot, një seri skandalesh kanë shpërthyer, duke ekspozuar të vërtetën e hidhur: institucionet nuk janë të afta të diagnostikojnë në kohë, nuk marrin masa dhe kur përballen me prova të qarta, i fshehin rastet!

27 ton fileto pule nga Brazili kanë hyrë në Shqipëri më 11 mars 2025. AKU ka marrë mostrat në doganë, por për një analizë që duhej të zgjaste maksimumi 72 orë, u deshën 10 ditë.

Përmes këtij denoncimi, Presidenti i Urdhrit të Mjekut Veterinar, Ervin Resuli, ka hedhur akuza të rënda ndaj Ministrisë e Bujqësisë dhe Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.

Në fakt nuk është rasti i parë i dyshimtë. Prokuroria e Beratit informoi në muajin shkurt se ka dyshime se në treg janë hedhur mbi 21.000 kg mandarina me pesticide, të cilat pasi u kthyen nga Kroacia nuk u asgjësuan por janë blerë nga fermerët e qarkut Berat dhe Sarandë. 

Presidenti i Urdhrit të Mjekut Veterinar, Ervin Resuli, thotë në denoncimin e tij se ky "nuk është vetëm një skandal, është një kërcënim direkt për jetën e qytetarëve dhe dikush duhet të mbajë përgjegjësi! Ky shtet nuk mund të vazhdojë të heshtë ndërsa populli ushqehet me mish të infektuar, peshk me parazitë dhe fruta-perime të stërmbushura me pesticide! Është koha që drejtësia të veprojë dhe të ndëshkojë ata që janë përgjegjës për këtë katastrofë!"

SPAK, sipas thirjes së Resulit, duhet të nisë hetimet urgjentisht, sepse ky është një krim kundër qytetarëve shqiptarë!

Teksa denoncohet si rast i përsëritur, a duhet të mbajë përgjegjësi ndonjë institucion? - "Fshehja e rastit nga Ministria e Bujqësisë, AKU dhe ISUV lë dyshime të forta se biznesit i është dhënë kohë për të shitur produktin dhe për të helmuar qytetarët me vetëdije të plotë. Ky nuk është më një rast neglizhence, por një veprim kriminal, që kërkon një hetim të thelluar nga SPAK, nga A deri në Zh! Sa raste të tjera janë fshehur? Sa herë qytetarët shqiptarë janë bërë kavie eksperimentale të një sistemi të kalbur që nuk kontrollon as ushqimin që importohet dhe as atë që prodhohet brenda vendit?" thotë Resuli në reagimin e tij, që është në kufijtë e një skandali. 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH