Me ardhjen e pranverës, rastet e alergjive fillojnë të shtohen ndjeshëm, duke prekur kryesisht personat me ndjeshmëri ndaj poleneve dhe ndryshimeve sezonale.
Sipas pneumologut Dr. Shahin Meçe, kjo është një periudhë ku pacientët ankohen më shpesh për simptoma si bllokimi i rrugëve të frymëmarrjes, teshtima të shpeshta, kruarje dhe skuqje të syve.
“Është sezoni ku këto lloj sëmundjesh shtojnë numrin e rasteve. Në këto raste është mirë që qytetarët në momentin që kjo gjendje zgjat të paraqiten për ndihmë mjekësore. Prek të gjitha moshat, nga fëmijët apo dhe kategori që kanë ndjeshmëri të shtuar nga polenet”, tha mjeku.
Për të shmangur përkeqësimin e gjendjes, Dr. Shahini këshillon që pacientët të tregojnë kujdes të veçantë, duke shmangur ekspozimin e tepërt në natyrë gjatë ditëve me përqendrim të lartë poleni, të përdorin filtra ajri në shtëpi dhe të mbajnë gjithmonë me vete mjekimin e rekomanduar nga mjeku.
“Rrezatimi në ambiente ku ka polen të shtuara shton rastet. Të marrin mjekim kundër alergjik”, këshillon mjeku.
Gjithashtu, ajrosja e ambientit në orët e duhura dhe ruajtja e higjienës personale mund të ndihmojnë në minimizimin e simptomave.