Sociale

Kujdes prindër, ruani FËMIJËT nga mushkonjat! Alarmi i ISHP-së: Janë 4 vektorë të rrezikshëm në qarkullim, kujdes me higjienën

Shkruar nga Liberale
Kujdes prindër, ruani FËMIJËT nga mushkonjat! Alarmi i

Shqipëria nuk i ka shpëtuar as në këtë sezon veror qarkullimit intensiv të mushkonjave, të cilat gjenden lehtësisht si në zonat urbane ashtu edhe në ato bregdetare.

Bazuar në një studim entomologjik që ka kryer Instituti i Shëndetit Publik, në vendin tonë janë identifikuar 4 lloje vektorësh, dy prej të cilëve konsiderohen si vektorë të rrezikshëm për shkak të transmetimit të viruseve që shkaktojnë komplikacione të rënda në shëndet.

“Në Shqipëri qarkullojnë mushkonjat të tipit: Anopheles, Aedes, Culex dhe Culiseta. Aktualisht në zonat urbane qarkullojnë dy lloje kryesore; mushkonja e zakonshme Culex pipiens e cila është vektor i etheve të Nilit Perëndimor dhe mushkonja tigër Aedes albopictus e cila është e aftë të transmetojë virusin e Chikungunjës, Zikës, ethet Dengue etj. Ndërsa në zonat bregdetare llojet kryesore të pranishme në këtë periudhë janë Aedes detritus, Aedes vexans, Aedes caspius, Culex pipiens dhe Aedes albopictus. Mushkonjat Aedes detritus, Aedes vexans, Aedes caspius janë bezdisëse me pickimet e tyre në mbrëmje dhe gjatë natës”, thuhet në raportin e ISHP.

Dezinsektimi i bregdetit, Durrësi e Vlora akoma në kontrollin e mushkonjave

Në fillim të muajit maj, ISHP deklaroi se do të nisë dezinsektimin në zonat bregdetare, konkretisht në zonën e Velipojës Shkodër, në Golem e Spille, në Gjirin e Lalzit, Shën Pjetër, Durrës dhe Plazh Plepa Durrës, në Divjakë dhe plazh, Fier, Darëzezë dhe plazhin e Semanit në Fier, në Nartë dhe plazh Zvërnec, Radhimë, Orikum, Dhërmi, Jal, Himarë-Livadh, Qeparo, Borsh, Bunec, Sarandë, Çukë, Kslami, Parku Kombëtar i Butrintit dhe zonat përreth.

Sipas ISHP, deri tani zonat bregdetare në qarkun Shkodër, Tiranë dhe Fier kanë përfunduar procesin e dezinsektimit, ndërsa në qarkun e Vlorës dhe Durrësit ka mbetur pa u mbyllur ky proces.

Durrësi dhe Vlora janë dy prej qarqeve me numrin më të madh të pushuesve gjatë verës dhe nevoja për dezinsektim është e madhe. Ekspertët e shëndetit publik thonë se qarkullimi intensive i mushkonjave vjen si pasojë e vatrave të krijuara në mënyrë artificiale nga njerëzit që përshijnë kova me ujë, fuçi, lodra të harruara në oborr, pishinat e plazhit, pjatat e vazove të luleve, gomat e përdorura të makinave, lulet dekorative, puseta etj.

“Në procesin e dezinsektimit është integruar ndërhyrja derë më derë në mjedise publike dhe private të vlerësuara nga ana e Njësive Vendore të Kujdesit Shëndetësor përkatës, si zona “hot spot” të nxehta për zhvillimin e larvave të mushkonjave. Gjatë këtyre ndërhyrjeve po bashkëpununohet me komunitetin e zonave të përcaktuara, duke e informuar atë lidhur me vendet e zhvillimit të larvave të mushkonjave brenda dhe përreth banesave të tyre, rolin dhe përfshirjen e tyre në këtë proces, si dhe është bërë evidentimi dhe trajtimi apo eleminimi i vatrave të zhvillimit të larvave.”, thonë për ‘GazetaSI”, burimet zyrtare në Institutin e Shëndetit Publik.

Sipas tyre, kontrolli mbi mushkonjat parashikohet të kryhet deri në muajt shtator/tetor me një frekuencë tre javore në varësi të kushtëve klimatike dhe problematikave që mund të shfaqen nga mushkonjat.

Sa i takon sëmundshmërisë, burimet zyrtare në ISHP thotë se aktualisht nuk kemi sëmundje të trasmetuara nga mushkonjat në vendin tonë, por është mjaft e rëndësishme informimi dhe përfshirja e komunitetit në mënyrë aktive për eleminimin e vendeve ku zhvillohen larvat e mushkonjave brenda mjediseve të banesave dhe në lagjen ku jetojnë, për të ulur nivelin e bezdisjes nga pickimet dhe mundësinë e transmetimit të patogjenëve./Liberale.al

Poll
SHQIPENGLISH