Ekspertizë

EKSPERTIZË nga Selami Xhepa: Kohë zhvillimesh dinamike, rrisqesh të mëdha por edhe shanse të jashtëzakonshme

Shkruar nga Liberale

 

EKSPERTIZË nga Selami Xhepa: Kohë zhvillimesh dinamike, rrisqesh

*Prof. Asoc. Dr. Selami Xhepa

Sot nuk është një ditë e zakonshme rutine e jetës së studentit që keni bërë këto tre vite; është dita që finalizon përpjekjet tuaja të vazhdueshme e sistematike, mundin dhe sakrificat tuaja dhe familjeve tuaja. Dhe ja dolët! Urimet më të mira për të gjithë ju të dashur student, për prindërit dhe familjet tuaja. Si prind, mund të them se nuk ka moment më të bukur krenarie se dita kur fëmija diplomohet; ajo është dita kur ata bëhen të pavarur dhe nisin rrugëtimin e ndërtimit të familjes së tyre të ardhshme. Si pedagogu juaj, dhe duke folur në emër të të gjithë stafit të UET, ka qenë kënaqësi e veçantë t’ju kishim në auditorët tona. Na keni motivuar duke i dhënë kuptim punës tonë, sikurse dhe na keni falur gëzim, ditë pas dite, kur sot shohim zhvillimin tuaj akademik. Besoj se keni mësuar prej pedagogëve tuaj ashtu sikurse edhe ne kemi mësuar prej jush dhe, se do të merrni me vete bashkë me dijet tuaja, edhe miqësinë tonë.

Shumica juaj me siguri që do ta vazhdojë rrugëtimin akademik plotësues në programet Master, por diploma e sotme është themeli i formimit tuaj profesional, është baza e dijeve kryesore e fushës suaj të studimit. Nga sot ju jeni profesionistë të fushave ku keni zgjedhur të ndërtoni karrierën e jetës suaj.

Zhvillimet që po ndodhin në botën e sotme kurrë nuk kanë qenë kaq dinamike, të shpejta dhe komplekse. Si të tilla, rreziqet janë të mëdha, por dhe mundësitë dhe shanset tuaja për realizim janë të jashtëzakonshme. Dinamika shumë pozitive janë krijuar në tregun e punës në vend. Institucionet publike dhe sektori privat po bëhen gjithnjë e më konkurrues në tërheqjen e të rinjve me shkollim dhe formim të mirë profesional. Diploma e UET është një status i respektuar në tregun e punës dhe, siç është dëshmuar nga eksperiencat e ish paraardhësve tuaj, ata kanë zhvilluar karriera nga më të suksesshmet jo vetëm në institucionet publike e private brenda vendit, por edhe në koorporata dhe organizata ndërkombëtare dhe në institucione të reputacionit botëror. Me këtë, dua të them se diploma që ju merrni sonte, ju hap një perspektivë dhe mundësi të mëdha për realizimin e vetvetes.

Po bëhen gati 2 dekada që kur UET nisi aktivitetin e vet dhe, mund të themi me kënaqësi se të gjithë ndihemi krenar të kemi qenë pjesë e tij, pjesë e suksesit të këtij institucioni. Mijëra student të diplomuar në të gjithë nivelet e formimit akademik janë krenaria jonë, testi më i mirë i standardeve tona akademike të besueshme nga shoqëria.

Të dashur student,

Thuhet se libri që nuk u shkrua kurrë është ai me titullin “Kur është koha të fillojmë shkollën”, sepse nuk ka një kohë të tillë. Njeriu është përherë në shkollë, përherë në kërkim të zhvillimit të vetvetes, të njohjes së botës, të përditësimit me të rejat (siç përditësohen programet e androit në celularët tuaj). Gjërat sot ndryshojnë me shpejtësi sa edhe e sotmja duket histori. E që e ardhmja të mos jetë një keqardhje e përjetshme për gjërat që nuk i bëmë në të shkuarën tonë, këshilla është që të jemi përherë të lidhur me shkollën, me universitetin, me kolegët tuaj. Tek UET do keni familjen tuaj të dytë për çdo ndihmë që do ju nevojitet, për një këshillë, për një ndërmjetësim, për ndonjë projekt që do keni interes të zhvilloni.

Shpresoj që vitet që keni kaluar me ne dhe me njëri tjetrin, të kenë lënë mbresa pozitive që do ti kujtoni përgjatë jetës, dhe se me vete sot po merrni bashkë me diplomën, edhe miqësinë tonë të sinqertë!

Shumë urime dhe suksese në jetën tuaj!

*Fjala përshëndetëse e Presidentit të UET, Prof.Asoc.Dr. Selami Xhepa në festën përmbyllëse të studimeve në ciklin bachelor.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH