Sociale

COVID-19 dhe nën-variantet e tij/ Flasin mjekët, 30% e rasteve dalin pozitivë, shtim i infektimeve për gjithë grupmoshat

Shkruar nga Liberale
COVID-19 dhe nën-variantet e tij/ Flasin mjekët, 30% e rasteve dalin

Janë rikthyer dhe rritur ndjeshëm rastet e infektimeve me Covid-19, ashtu siç po ndodh në shtetet fqinje të Europës, si Itali dhe Greqi. Drejtues të laboratorëve mjekësorë pohojnë se janë shtuar rastet e të prekurve të konfirmuar me Covid-19 pas kryerjes së tamponit.

Rastet pozitive të konfirmuara pas kryerjes së tamponit sipas administratorit të rrjetit të laboratorëve më të madh në vend, “Intermedica”, Vasil Llajo arrijnë deri 30%. Llajo pohoi për “Monitor” se ka rikthim të rasteve me Covid-19 dhe numri i të prekurve është i njëjtë me infektimet e periudhës qershor-korrik 2022.

Në këtë periudhë, mjekët e familjes pohuan se nga 3 persona që kryenin testimin e tampon 1 prej tyre rezultonte i infektuar. Sipas tyre, në muajt qershor-korrik 2022, rritja e rasteve erdhi si rezultat i moszbatimit të masave që nga grumbullimi i individëve në plazhe, restorante dhe bare, si dhe mospërdorimi i maskës në ambientet e mbyllura.

“Fluksi i individëve që kryejnë tampon është i lartë. Edhe pozitiviteti i rasteve të konfirmuara me Covid-19 është i lartë, arrin deri 30%. Pra në 100 persona që kryejnë tamponin 30 prej tyre rezultojnë pozitiv me Covid-19.

Rritja e rasteve me Covid-19 po shoqërohet edhe me rritje të rasteve të prekur nga Gripi A dhe virusi RSV (Respiratory Syncytial Virus) që shkakton broshit te fëmijët e vegjël të moshës nën 3 vjeç”, pohon Llajo.

Mjeku Vasil Llajo nënvizon se nuk ka vend për panik, pasi aktualisht po qarkullojnë nënvariente të virusit Omicron BA 4 dhe BA 5 ku ndër simptomat kryesore që shfaqen te të prekurit mbeten rrufa, temperaturë jo e lartë që varion 37,5 deri 38 gradë, ndryshe nga gjendja gripale ku temperatura arrin deri në 39 gradë, që shoqërohet me dhimbje të muskujve dhe dhimbje koke.

“Graviteti klinik i virusit është më i lehtë se gjatë periudhës së pandemisë. Por ndryshe nga pandemia, aktualisht konstatojmë se nga Covid-19 po preken të gjithë grupmoshat e popullatës, pra edhe fëmijët. Qytetarët nuk duhet të neglizhojnë masat e higjienës.

Ndonëse ende nuk ka një udhëzim të veçantë nga institucionet, rekomandoj se te individët që janë shfaqur simptomat e Covid-19 është e domosdoshme mbajtja e maskës, me qëllim mosinfektimin e të tjerëve në këtë periudhë kur kanë rinisur mësimi në shkolla dhe kopshte.”

Sipas tij, të prekurit me Covid-19 rezultojnë persona të vaksinuar deri edhe me 3 doza, si dhe individë që më herët janë konfirmuar me Covid-19 nga 2 apo 3 herë.

Shqipëria nisi në datë 11 Janar 2021 fushatën e vaksinimit anti-Covid-19. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë deri më 26 Maj 2023 në total janë kryer 3,072,710 vaksinime. Përkatësisht janë kryer: 1,331,723 doza të para, 1,279,886 doza të dyta dhe 403,783 doza të treta.

Mjekët thonë se në qarkullim janë edhe nënvariantet e Covid-19, por simptomat e tij janë shpesh me të lehta se të gripit të stinës. Mjekët sugjerojnë që moshat e vjetra duhet të kenë më shumë kujdes, të evitojnë grumbullimet dhe të mbajnë maska.

Ekspertët e Shëndetit publik thanë se, simptomat më të rënda po krijohen nga qarkullimi i virusit të influencës A që ka marrë përmasat e një pandemie. Ekzistojnë katër lloje të viruseve të gripit: A, B, C dhe D. Viruset e influencës A dhe B shkaktojnë epidemi sezonale të sëmundjeve te njerëzit (e njohur si sezoni i gripit) pothuajse çdo dimër.

Javët e fundit përhapje të infeksioneve të Covod-19 konfirmohen edhe në vendet fqinje si Italia dhe Greqia, ku shumë qytetarë në vendet publike, si autobusë apo metro kanë nisur mbajtjen e maskës pas fushatave ndërgjegjësuese të nisura nga institucionet publike.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH