
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, mori pjesë dhe foli në ceremoninë mortore të atdhetarit Haxhi Thaçi, babai i ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, që u zhvillua sot në Skënderaj të Kosovës.
Në fjalën e saj, Spiropali u shpreh se Haxhi Thaçi ishte një atdhetar i madh.
"Haxhi Thaçi, është shembulli sesi një njeri i thjeshtë mund të bëhet një atdhetar i madh. Kjo është e mundur kur urtësia, njerëzillëku, ndershmëria, lidhjet e forta me njerëzit dhe përkushtimi i përditshëm i një burri që duket i zakonshëm, shumëfishohen, ndriçojnë dhe frymëzojnë përkushtimin dhe sakrificat për atdheun, për kombin.
Përkujdesja prindërore, edukata patriotike, devocioni i këtij plaku që u udhëhoq gjithë jetën nga fryma e së drejtës dhe frymëzimi prej lirisë, i dhanë Kosovës një komandant e luftëtar, një udhëheqës vizionar, Kryeministrin e parë e pastaj edhe Presidentin e Kosovës së pavarur. Faleminderit, burrit dhe patriotit Haxhi Thaçi, që na dhe Hashim Haxhi Thaçin, udhëheqësin politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, lufta e së cilës, me mbështetjen e popullit të vet, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s, e ka bërë Kosovën prej 26 vjetësh një shtet të lirë dhe prej 17 vjetësh një shtet të pavarur.
Nuk i bën nder askujt, përveçse armiqve të lirisë, fakti që Hashim Thaçi dhe udhëheqësit kryesorë të UCK-së janë sot në “shtatë penxheret” e Hagës. Si viktima të një drejtësie që po bëhet përditë e më tepër një iluzion dhe përditë e më tepër po shkallmon vlerat, parimet dhe standartet ndërkombëtare të drejtësisë dhe injoron e margjinalizon institucionet sovrane të shtetit të lirë e sovran të Kosovës. Baca Haxhi, në vend të Hashimit kemi ardhur të të përcjellim ne të gjithë, nga Shqipëria dhe gjithë shqiptaria. Të qoftë i lehtë dheu i Burojës, dheu i Skënderajt, dheu i Kosovës', u shpreh Spiropali.