Kur mbeten edhe 100 kuti votimi për t’u numëruar në rang vendi është e qartë: PS ka siguruar mandatin e katërt qeverisës. Ajo që e bën të veçantë fitoren e socialistëve është vetë fitorja për nga përmasat e saj. Paradoksalisht ajo rezultoi më e thellë se në të gjitha zgjedhjet e kaluara që kur drejtimin e PS-së e mori kryeministri Edi Rama. Duhet të ndodhet normalisht e kundërta.
Janë numëruar 5132 kuti votimi nga 5225 në total për zgjedhjet e 11 majit dhe PS luhatet mes 82 dhe 83 deputetëve. Deri në fund pritshmëritë janë që PS mund të humbë ose jo një mandat.
Partia Socialiste është forca politike fituese e këtyre zgjedhjeve me një shumicë të qartë, duke grumbulluar 751,080 vota ose 52.2%. Koalicioni PD-ASHM vjen i dyti me 491,062 vota ose 34.1%, ndërsa Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet arrin të sigurojë vendin e tretë me 53,478 vota ose 3.7%. Më pas vjen Partia Socialdemokrate me 47,513 vota ose 3.3% vota dhe partia Mundësia me 43,789 vota ose 3.0% ndërsa Lëvizja Bashkë 21,114 vota ose 1.5%.
Dukshëm në zgjedhjet e fundit PS ka marrë sërish votat e saj, madje i ka shtuar ato, ndërsa PD ka rënë djeshëm, ndërsa në mesin e të zhgënjyerve ose të pabindurve kanë mbledhur vota partitë e vogla. Këtu qëndron çudia, të zhgënjyerit e mëdhenj kanë braktisur PD dhe jo partinë që qeveris prej tri mandateve.
Rezultatet në Zgjedhjet e Përgjithshme Parlamentare sipas sistemit të ri proporcional në 2021, 2017, 2013, 2009, zbulojnë rritjen e PS dhe rënien e PD-së nga njëra palë zgjedhje në tjetrën.
Në zgjedhjet e 2021 Partia Socialiste me 74 mandate mori një numër votash gati sa në këto zgjedhje prej 768.250, ose 48.68% të totalit. Fakti që përqindja është më e vogël se në 2025 lidhet me një pjesëmarrje më të madhe në zgjedhjet e 2021.
Krahasuar me Zgjedhjet e 2017 PS në 2021 ka marrë 4459 Vota më shumë dhe ka ruajtur të njëjtin numër mandatesh.
Partia Demokratike hyri në garë në listë të vetme me Aleatët e njohur si PD dhe Aleanca për Ndryshim. Së bashku ato kanë marrë 622.267 vota ose 59 përkthyer në mandate deputeti. Në total PD dhe AN morën 39.49% të votave, ndërkohë pjesëmarrja në votime krahasuar me 2025 ishte më e madhe.
Partia Social Demokrate e drejtuar nga Tom Doshi ka marrë në këtë proces zgjedhor 35.467 vota ose 3 mandate; dy në Shkodër dhe një në Tiranë. Në përqindje kundrejt totalit janë 2.5% e votave rang Kombëtar.
Lëvizja Socialiste për Integrim në Zgjedhje 2021 ka marrë 107.533 vota që janë 6.81% e totalit të votave në rang kombëtar dhe siguroi 4 deputetë.
Rënia e PD-së nisi me sistemin zgjedhor dhe marrëveshjen e famshme të 2008.
Në zgjedhjet e 2009 rreth 10 për qind e votave për partitë e vogla u dogjën duke mos prodhuar asnjë mandat deputeti.
Në 2009 mandatet mes partive u ndanë në: Partia Socialiste 65; Partia Demokratike 68; Partia Lëvizja Socialiste për Integrim fitoi 4 mandate; Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut 1 mandat; Partia Republikane 1 mandat; Partia për Drejtësi dhe Integrim PDI 1.
Në 2013 Partia Socialiste siguroi 65 deputetë; Partia Demokratike 50; Partia Lëvizja Socialiste për integrim 16 deputetë; Partia Drejtësi për Integrim 4 mandate, Partia Republikane 3 dhe partitë Bashkimi për të Drejtat e njeriut dhe Partia Kristjan Demokrate e Shqipërisë nga një mandat deputeti secila. Në këto Zgjedhje partitë u renditën në dy koalicione Aleanca për Shqipërinë Europiane drejtuar nga PS ku bënte pjesë edhe LSI; PBDNJ; PKDSH dhe Aleanca për Punësim Mirëqenie dhe Integrim drejtuar nga PD.
Në Zgjedhje 2017 Partia Socialiste fitoi e vetme 74 mandate; Partia Demokratike fitoi 43 deputet; Lëvizja Socialiste për Integrim fitoi 19 deputet; Partia Drejtësi Unitet Integrim 3 deputet dhe Partia Social Demokrate e Tom Doshit fitoi një deputet. Shumë parti të vogla u rrudhën në rezultatin e tyre.
Pra, siç tregojnë shifrat, pas 2008 PS ka ardhur duke u rritur dhe duke fituar ndërsa PD duke rënë dhe duke humbur.