Politikë

SHIFRA E DITËS: Mbyllet numërimi i votave, si do të ndahen 140 mandatet e Kuvendit të ri të Shqipërisë

Shkruar nga Aranit Muraçi

SHIFRA E DITËS: Mbyllet numërimi i votave, si do të ndahen 140

Socialistët në Kuvend do të shkojnë me 83 deputetë, PD zbret në 50, PSD merr 3 mandate, partitë e reja do të ndajnë 4 mandatet e mbetura

Në pritje të zyrtarizimit dhe çertifikimit të rezultatit përfundimtar, KQZ njofton se ka përfunduar numërimi i 5225 kutive të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025. Numërimi i kutive të mbetura nga  votat e diasporës nuk pritet të ndryshojë asgjë. Nga ndarja e mandateve del në pah edhe padrejtësia mes vetë partivë të vogla. Partia e tretë në rang kombëtar Nisma-Shqipëria Bëhet” ka marrë 55.790 vota por do të çojë në Kuvend 1 deputet, kurse e katërta PSD, edhe pse mori më pak vota, 48.304 në rang vendi, do të përfaqësohet me 3 deputetë. Është një ndër kapriçiot e ligjit elektoral. Nëse votat e partisë së udhëhequr nga Lulzim Basha do të ishin vota të Partisë Socialiste, ish kreu i PD-së do të kishte të garantuar dy deputetë. 

Si përfundim pas numërimit:

Partia Socialiste e drejtuar nga Edi Rama konfirmohet në pushtet duke siguruar e vetme mandatin e katërt. PS fitoi me 52.2% të votave, rezultat i cili i jep gati shumicën e cilësuar në Parlament. Socialistët kanë siguruar deri rreth 780 mijë vota ose 83 deputetë, një më pak se shumica e cilësuar për të miratuar ligjet që kërkojnë 2/3 e parlamentit.

Koalicioni opozitar PD-ASHM i drejtuar nga Sali Berisha mori 34.2%, ose mori rreth 503 mijë vota në të gjithë vendin, përkthyer në  50 mandate në Parlament.

Forcë e tretë politike për nga votat ka kaluar “Nisma-Shqipëria Bëhet” e drejtuar nga Adriatik Lapaj dhe Endri Shabani, me 3.7%, duke marrë 55.790 vota, por për shkak të ligjit elektoral ka siguruar vetëm një mandat në Kuvend.

PSD e drejtuar nga Tom Doshi ka siguruar 48.304 vota ose 3.4% dhe ka çuar në Kuvend 3 deputetë (2 në Shkodër, 1 në Tiranë).

Mundësia, partia e drejtuar nga Agron Shehajarriti të sigurojë 45.616 vota ose 3% në rang vendi të cilat përkthehen në 2 deputetë (të dy mandatet e fituara në Tiranë). Në Kuvend shkojnë kryetari Agron Shehaj dhe Erald Kapri. 

Lëvizja Bashkë e drejtuar nga Arlind Qori ka marrë 22.253 vota dhe ka siguruar 1 mandat në Qarkun e Tiranës. Por në Kuvend do të shkojë Redi Muçi si i pari i listës dhe jo kryetari i kësaj partie, i cili preferoi numrin dy në listë. 

Koalicioni Euroatlantik i drejtuar nga Lulzim Basha ka marrë 19.971 vota ose 1.3%, por nuk arriti dot të fitojë një mandat deputeti.

Mandatet në Kuvendin e ri (2025-2029)

PS – 83 deputetë

PD – 50 deputetë

PSD – 3 deputetë

Mundësia – 2 deputetë

Nisma-Shqipëria Bëhet – 1 deputet

Lëvizja Bashkë – 1 deputet

Liberale Newsroom

A duhen rritur pagat e prokurorëve dhe të gjyqtarëve sipas kërkesës së tyre?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH