Kryeministri Edi Rama, i ftuar në tryezën e Forumit Ekonomik Botëror me tematikë “Mënyra se si do të udhëtojmë”, paraqiti shifra rekord të turistëve.
Ai e ka cilësuar vitin e kaluar si një vit rekord për vendin, duke përmendur faktin se ky sektor ka gjeneruar 3.8 miliardë Euro vetëm në nëntë muajt e parë të vitit 2024. Sipas tij, Shqipëria ka mirëpritur 11.7 milionë vizitorë të huaj, një rritje prej 15 përqind krahasuar me vitin 2023.
“Para se të arrinim këtë sukses në turizëm ne kishim sfidën që të ruajmë duke ndërtuar atë që na nevojitet. Është një sfidë shumë e madhe sepse Shqipëria ka fshatra të pabesueshëm dhe diversitete të jashtëzakonshme dhe ndërkohë duhet të kemi më shumë investime, kështu që përpiqemi ta balancojmë këtë. Kjo është një çështje madhore”, tha Edi Rama.
Rama u shpreh se qeveria e tij po bën gjithçka që është e mundur për të ruajtur diversitetin e natyrës, duke shtuar numrin e zonave të mbrojtura dhe duke angazhuar arkitektë të mëdhenj ndërkombëtar për të përshtatur gjithçka që ndërtohet me mjedisin.
“Ne po përpiqemi të bëjmë më të mirën, nga njëra anë duke shtuar zonat e mbrojtura dhe duke krijuar më shumë mjete për të transformuar atë që mbrohet në një burim zhvillimi dhe nga ana tjetër duke angazhuar arkitektë të mëdhenj ndërkombëtarë për të pasur një cilësi të ndryshme projektesh nga sa kemi parë në rajon përreth nesh”, tha Rama.
Rama vuri në dukje konsolidimin e tregjeve kryesore të Evropës Perëndimore, si Italia, Gjermania, Franca, Spanja dhe Britania e Madhe, duke shtuar edhe rritjen e numrit të turistëve nga vendet e rajonit dhe tregjet e largëta aziatike e amerikane.
Kryeministri ishte optimist për shifrat e turizmit duke paralajmëruar rritje në sajë të përfundimit të punimeve të aeroportit të Vlorës dhe investimeve të tjera në infrastrukturë.
Në fjalën e tij, Rama shtoi se aeroporti i Shqipërisë ia kaluar edhe aeroportit të Beogradit në rajon.
“Na duhet që të kemi më shumë investime. Po përpiqemi të bëjmë maksimumin duke rritur nga njëra anë masën e zonave të mbrojtura dhe duke krijuar më shumë mjete për të transformuar atë çfarë është e mbrojtur. Nga ana tjetër, duke angazhuar shumë arkitektë ndërkombëtarë që të na ndihmojnë për të pasur projekte të ndryshme. Në Shqipëri kemi aeroportin me rritjen më të shpejtë në Europë gjatë 2-3 viteve të fundit dhe kemi tejkaluar edhe Beogradin që ka qenë aeroporti më i rëndësishëm rajonal. Vitin e kaluar e mbyllëm me thuajse 12 milionë turistë. Një rritje trafiku me hyrje/dalje të jashtëzakonshme. Po hapim një aeroport të ri tashmë në Vlorë”.
Duke krahasuar rritjen e turizmit në Arabinë Saudite me turizmin në Europë, Kryeministri Rama tha se Bashkimi Europian duhet të heqë burokracitë.
“Arabia Saudite dhe vendet e Gjirit janë një vend i jashtëzakonshëm prej të cilëve mund të mësosh dhe ndërkohë që mëson ti zbulon që përtej miteve, stereotipeve ata po investojnë në dije dhe në arsimim me nivelin më të lartë. Po angazhojmë arkitektë të jashtëzakonshëm nga mbarë bora që janë të kënaqur të punojnë me të dhe po u japim jetë projekteve arkitekturore që nuk i gjen në rajonin tonë. Problemi i Europës sot është që të fillojë të shkurtojë burokracinë dhe ta bëjë kontinentin më të lirë dhe më fleksibël”, u shpreh Kryeministri Rama.