Politikë

Mbyllet seanca plenare mes kaosit opozitar/ Nikolla: Ju nuk doni të flisni për hallet e qytetarëve

Shkruar nga Liberale

 

Mbyllet seanca plenare mes kaosit opozitar/ Nikolla: Ju nuk doni të flisni

Pas replikës me disa prej deputetëve të opozitës të cilët edhe pse të përjashtuar kanë arritur të hyjnë në sallën e parlamentit, kryeparlamentarja Lindita Nikolla ka mbyllur seancën plenare.

Jo vetëm kaq, por ata kanë gjuajtur me sende në drejtim të kryeministrit Edi Rama dhe Lindita Nikolla.

Nikolla u është drejtuar atyre se duhet “t’u vijë turp” pasi e dinë që janë të përjashtuar dhe po ndalojnë seancën.

Duke replikuar me deputetin Flamur Noka, ajo tha se nuk po provokon opozitarët, por janë këta të fundit që po provokojnë.

Deputetët e grupimit të Sali Berishës dhe ato të Gazment Bardhit, megjithëse rezultojnë të përjashtuar, kanë tentuar që të futen brenda, ndërsa nuk u lejuan nga garda e cila ishte bërë ‘gardh’ para derës së Kuvendit.

“Nuk është kapanon ky! Nuk mund të bllokosh deputetët të futen në parlament”, tha deputeti Ervin Salianji.

Ndërsa deputeti Asllan Dogjani bën thirrje që të hyjnë brenda.

“Këtu është diktaturë. Edhe Enver Hoxha nuk i ndalonte deputetët të hyjnë brenda”, tha ai.

Deputetët e përjashtuar janë: Ervin Salianji, Albana Vokshi, Sorina Koti, Elda Hoti, Lindita Metaliaj, Isuf Çela, Tritan Shehu, Lefter Gështenja, Helidon Bushati, Xhelal Mziu, Edmon Spaho, Oerd Bylykbashi, Saimir Korreshi, Kasëm Mahmutaj, Ramadan Likaj, Kastriot Piroli, Qani Xhafa, Lodovik Hasani, Luan Baçi.

Ndërkohë, rreth 400 efektivë nga Policia e Tiranës dhe Forcat e Sigurisë Kombëtare (FNSH) janë angazhuar për mbarëvjatjen e protestës së opozitës para parlamentit.

Masat janë marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në koordinim me DVP Tiranë. Në perimetrin e parlamentit janë instaluar kamera me rezolucion të lartë për të identifikuar çdo lëvizje të protestuesve. RENEA është në gatishmëri në rast se do të ketë incidente. Po ashtu edhe autobotë me ujë ndodhen në pjesën e pasme të parlamentit nëse do të jetë e nevojshme për të ndërhyrë.

Deputetët rikthehen në seancë plenare në 17:00.

Në rend të ditës, në seancat që vijnë pas javës së gjelbër është vetëm një çështje: diskutimi për problematikat e qytetarëve që deputeti ka hasur përgjatë takimeve me ta.

Megjithatë, edhe këtë javë pritet të mos ketë surpriza, deputetët do të shkojnë në seancë vetëm për disa minuta, pasi opozita do të vijojë bojkotin e bllokimin dhe normalitet të diskutime pritet të mos ketë.

E teksa e hëna, pritet të mos prodhojë surpriza, seanca e ditës së enjte do të jetë edhe më e rëndësishme, pasi pritet të kalojnë një sërë projektligjesh, mes të cilëve më i rëndësishmi, marrëveshja me Italinë për Emigrantët dhe ligji për bastet sportive online, që nga opozita është kundërshtuar gjatë.

Për këtë ligj, mazhoranca i ka votat, pasi duhet shumicë e thjeshtë, por të tjera nisma kanë mbetur peng në Kuvend për shkak se PS-së për t’i kaluar i duhen edhe votat e opozitës, siç janë pagat e Gjyqtarëve të Kushtetueses, amnistia penale apo zgjedhja e avokatit të popullit.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH