Politikë

PERSONAZHI I JAVËS- Arben Ahmetaj në tentativë për të guxuar

Shkruar nga Reldar Dedaj

 

PERSONAZHI I JAVËS- Arben Ahmetaj në tentativë për të

Qëndrimi në krah të Edi Ramës kishte dhënë gjithnjë përshtypjen se Arben Ahmetaj ishte një nga bashkëpunëtorët më të afërt të kryeministrit.
 
Si një ish-figurë e kabinetit Qeveritar, ai do të mbahet mend si ministër i menaxhimit të krizave, veçanërisht tërmetit, Covid-19 dhe energjisë. Ai ka menaxhuar fondet e shtetit dhe të Bashkimit Europian për procesin e rindërtimit në Shqipëri. Kjo rrugë e tij u ndërpre nga një vendim i kryeministrit Rama me arsyetimin se një vendim i tillë është thjesht një cikël dhe nuk ka asnjë arsye pas tij.
 
Ka shtatë muaj dhe, përveç Çim Pekës, askush nuk e di se ku ndodhet Arben Ahmetaj. Ish-numri dy i qeverisë është zyrtari i dytë më i lartë shtetëror që pas Mbretit Ahmet Zogu që arratiset jashtë vendit. Por, nëse të parit, largimi i erdhi në rrethana pushtimi, ky i dyti e la Shqipërinë në kohë paqeje, duke përshëndetur me dorë nga pika Doganore e Kakavijes, me këpucë të kuqe dhe me dy dosje që vazhdojnë ende të hetohen nga Prokuroria e Posaçme.
 
Në intervistën e dhënë për Syri.tv, u kuptua se ndasia mes Ramës dhe Ahmetajt nuk është me sa duket vetëm për faktin se fatet e dy protagonistëve kryesorë të djegësave të Fierit dhe Elbasanit u ndanë: njëri gëzon i pashqetësuar të gjitha të mirat e pushtetit, ndërsa tjetri është në arrati. Mes tyre ka një pakt të prishur që i ka angazhuar në një luftë të ftohtë, grimca të së cilës shpërfaqen herë pas here në publik. Ende pa u marrë vesh se ç’ka thënë Arben Ahmetaj, në të parën intervistë të tij pas largimit nga vendi, strukturat e PS-së në kryeqytet u hodhën me furi kundër atij që deri dje e ngrinin në qiell si strategun e financave dhe të rindërtimit.

Në fakt, beteja ka nisur shumë më herët. Pas një lobimi të fortë të njerëzve të lidhur me inceneratorët, të të njëjtëve që pas shumë e shumë përpjekjesh kishin arritur ta nxirrnin Ahmetajn jashtë kësaj skeme në ngritjen e së cilës kishte kontribuar edhe ai, Edi Ramës iu mbush mendja se zv/kryeministri e kishte tradhëtuar duke i “shitur” dokumentet e këtij skandali tek opozita. Përplasja u bë publike në 25 korrik 2022, kur Rama e shkarkoi ministrin e Rindërtimit me alibinë se tani ishte prioritet integrimi dhe jo lufta kundër pasojave të tërmetit.

Nga ky moment Ahmetaj filloi të trajtohej si delja e zezë që kishte lëkundur themelet e pushtetit duke tradhëtuar bashkëpunëtorët. Ai as nuk thtirrej më në mbledhjet e PS.

Ahmetaj bëri një dalje publike në Opinionin e Blendi Fevziut 24 shkurt 2023, pas daljes së akuzave se ai kishte përfituar vila dhe udhëtime jashtë nga pronarët e inceneratorëve. I pyetur nga gazetari nëse priste mbrojtje nga Rama në rast se procedohej nga SPAK, ai u përgjigj plot helm: “Unë Edi Ramës nuk i kam kërkuar asnjëherë ndihmë. S’do doja të isha në rolin e kryeministrit. Ai, për sugjerim, të bëjë atë që bën më mirë. Gjykatësi është pak i sikletshëm“. Pa kaluar as tre javë, në një prononcim para selisë së PS, në 9 mars, Rama dha sinjalin se e kishte shitur para drejtësisë ish bashkëpunëtorin e tij tek inceneratorët: “Nëse unë do të kisha bërë rolin e gjykatësit gjërat do të kishin qenë shumë më keq për ata që duan që unë të bëj gjykatësin”, tha Rama para reporterëve.

Në korrik 2023, SPAK, që mori politikisht dritën jeshile, shpalli arrestin dhe i kërkoi parlamentit heqjen e imunitetit për deputetin. Në dosjen me plot 320 faqe, ai akuzohej për korrupsion pasiv në gjashtë raste dhe në skema pastrimi parash në më shumë se një rast. Kuvendi i Shqipërisë nuk e bëri të gjatë dhe votoi për heqjen e imunitetit të tij, por ndërkohë Ahmetaj ishte larguar nga Shqipëria.

PERSONAZHI I JAVËS- Arben Ahmetaj në tentativë për të

Për këtë rast kryeministri foli gjatë. Ai kujtoi se “Arben Ahmetaj nuk është as një njeri i panjohur dhe as një bashkëpunëtor i largët për mua. Ai është një ndër bashkëpunëtorët me të cilët jam takuar më shumë, kam komunikuar më shumë në telefon, kam diskutuar më shumë për shumë nga vendimmarrjet tona gjatë këtyre viteve“. Por nga ana tjetër ai lëshoi verdiktin se dosja kundër tij “krijon përshtypjen se ka dyshime të mjaftueshme“. Dhe sikur kjo të mos zinte vend, Rama nënvizoi: “virtytet e dobësitë njerëzore të secilit, raportet me veten, karrigen, paranë…, tundimin për pasurim të paligjshëm dhe veprime larg syve të publikut, në kontakte me gjithfarë njerëzish e interesash, që jeta në politikë apo institucione, t’i sjell në derë“.

Këtyre aludimive deri ditën e enjte Ahmetaj iu është përgjigjur me disa statuse me kunja në Facebook, duke treguar se marrëdhënia e tij me Ramën është e parikuperueshme. Ai nuk dha asnjë përgjigje as në intervistën e parë ekskluzive në Syri.tv. Më shumë lajm prodhoi statusi i gazetarit Peka që lajmëronte intervistën, se sa vetë intervista.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH