Vasil Sterjovski, lider i Aleancës së Maqedonasve për Integrimin Evropian (AMIE), ka marrë një vendim të papritur, duke u larguar nga koalicioni me Partinë Demokratike të Sali Berishës, dhe ka arritur një marrëveshje me Partinë Socialiste për të kandiduar në listën e hapur të Qarkut të Korçës.
Sterjovski ka bërë të ditur largimin nga koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” dhe ka depozituar një kërkesë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), duke kërkuar çregjistrimin e partisë së tij nga ky koalicion.
Në kërkesën e tij drejtuar KQZ-së, ai ka shprehur arsyet e këtij vendimi, duke theksuar se nuk mori mundësinë për të kandiduar në Qarkun e Korçës, ashtu si dhe në qarqe të tjera, duke ndikuar në vendimin për t’u larguar nga PD-ja.
“Dështuam në negociata me PD. I kërkova një vend në listën e hapur të Korçës, por refuzuan. Edhe në qarqe të tjera nuk na dhanë vende. Pra koalicion, por s’na dhanë asnjë vend në listë”, tha Sterjovski.
Pas këtij largimi, Vasil Sterjovsi i Aleancës së Maqedonasve ka arritur dakordësinë me Partinë Socialiste për të qenë në listën e Korçës.
Lëvizja e tij vjen pak orë para afatit të fundit për depozitimin e listave të kandidatëve për zgjedhjet e 11 majit, që është përcaktuar të mbyllet në mesnatë.
Pas këtij zhvillimi, aleanca e Maqedonasve për Integrimin Evropian ka siguruar një mundësi të re për të përfaqësuar interesat e komunitetit maqedonas në Qarkun e Korçës, tani përmes Partisë Socialiste.