Në zgjedhjet e fundit, dy kandidatë të listës së hapur të Aleancës për Shqipërinë Madhështore në Qarkun Tiranë, Ilir Alimehmeti dhe Jorida Tabaku, arritën një rezultat të jashtëzakonshëm. Së bashku, ata morën gati 27% të të gjitha votave që kandidatët e koalicionit fituan në këtë qark, një shifër e lartë që i vendos në krye të listës së performancës elektorale të koalicionit.
Ky rezultat nuk lidhet vetëm me simpatinë që mund të kenë fituar nga publiku i gjerë. Të dy kandidatët kanë pasur mbështetje të madhe edhe brenda vetë Partisë Demokratike. Në primaret e zhvilluara më herët, të cilat votoheshin vetëm nga anëtarët e PD-së, Alimehmeti dhe Tabaku u renditën përkatësisht në vend të dytë dhe të tretë për Qarkun Tiranë. Ndryshe nga kandidati i parë, që mori vota të fokusuara kryesisht në Kavajë, ata morën mbështetje të shpërndarë në të gjithë qarkun, një tregues i përkrahjes së gjerë dhe të konsoliduar.
Në veçanti, Jorida Tabaku arriti të marrë më shumë vota në primare sesa çdo kandidate tjetër femër në rang kombëtar, një tjetër fakt që nënvizon mbështetjen e fortë që ajo gëzon në bazën e PD-së.