
Gjykata e Posaçme ka shtyrë për në 6 mars seancën ndaj ish-ministrit të mbrojtjes, Fatmir Mediu.
Mësohet se shkak i shtyrjes ka qenë mungesa e gjyqtares kryesuese Irena Gjoka, e cila ishte angazhuar në një aktivitet.
Dështimi i seancës bëri që të shtyhet edhe pyetja e 4 dëshmitarëve të paraqitur, mes të cilëve, Dritan Minxolli, ish-drejtor i fabrikës së Gërdecit dhe ish-ushtarakut Sokol Ngjeçi.
Kujtojmë se Fatmir Mediu akuzohet për shpërdorim detyre nga SPAK, në lidhje me tragjedinë e Gërdecit, ku nga shpërthimi i punishtes së demontimit të armëve mbetën 26 të vrarë dhe qindra të plagosur.
Mbi të rëndojnë akuzat për veprat penale: “Shpërdorim i detyrës”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak, të parashikuara nga Kodi Penal dhe Kodi Penal Ushtarak.