Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një takim me deputetin italian dhe drejtuesin e Forza Italia, Alessandro Battilocchio, të cilin e cilësoi si “një mik të vyer të PD-së dhe ndjekës aktiv të zhvillimeve demokratike në Shqipëri”.
Përmes një postimi në Facebook, Berisha tha se takimi u përqendrua në analizën e situatës politike në vend dhe “farsës zgjedhore të 11 majit”, për të cilën përsëriti akuzat se ishte e manipuluar dhe e mbështetur në abuzim masiv me burimet publike.
“Forza Italia ka qenë gjithmonë në krah të Shqipërisë,” u shpreh Berisha, duke falënderuar Battilocchion për mbështetjen e ofruar gjatë zgjedhjeve të fundit. Sipas tij, PD do të vijojë pa ndërprerje betejën për të çmontuar farsën elektorale.
Berisha shtoi se manipulimi i zgjedhjeve u shtri edhe jashtë vendit, duke theksuar se “diaspora, veçanërisht në Greqi dhe Itali, ishte në shënjestër të skemave abuzive të patronazhistëve dhe presioneve për votën”.
Në takim morën pjesë edhe Dott. Amadeo Folgone, këshilltar pranë Komisionit Hetimor të Parlamentit Italian për sigurinë e qyteteve, deputeti i Lezhës dhe nënkryetar i Kuvendit Agron Gjekmarkaj, drejtori i kabinetit të Berishës Akil Kraja dhe kreu i PD-së në Itali, Bardhok Doda.
Berisha theksoi se Partia Demokratike është e vendosur të ndjekë çdo hap ligjor për të denoncuar, me fakte dhe raporte të pakontestueshme, çdo krim zgjedhor dhe çdo individ të përfshirë në to.