Deri tani, teksa numërimi po shkon drejt fundit, është një ndër rezultatet më zhgënjyese të opozitës, në historinë parlamentare.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha i dha përgjigje shteruese pyetjes që gazetarët i kanë bërë që prej zbardhjes së rezultatit të zgjedhjeve të 11 majit, se a do të largohet nga kreu i PD pas humbjes në këto zgjedhje.
Në një konferencë për mediat të martën Berisha u përgjigj se betejën për fitoren e PD do ta çojë në fund njeriu që e nisi, pra ai vetë
“Këtë betejë deri në fitore, ai që nisi do ta bitisi”, iu përgjigj Berisha interesimit të mediave.
Berisha paralajmëroi se më datë 16, kur në Tiranë zhvillohet Samiti i liderëve të Evropës, PD do ë mbajë një protestë në bulevardin Zogu i Parë.
“Libri i zi i këtyre zgjedhjeve shkruhet në datën 16 në orën 17:00 në Bulevardin Zogu i Parë, për të sensibilizuar opinionin publik botëror mbi krimet monstruoze të përbindëshit elektoral Edi Rama, që nuk zbaton asnjë rregull. Protesta do të jetë paqësore. Ne garantojmë se nuk do ketë probleme që do cenojnë në shkallën më të vogël sigurinë e atyre që vijnë por duam që ata të mësojnë se ka qenë i ftuar nga një narko-diktator”, – tha Berisha.