
Detaje të reja dalin në dritë nga hetimet për zbardhjen e vrasjes së palestinezes Rayyan Alwan, e cila u vra nga i ati, Fadi Alwan, në Tiranë.
Autoritetet gjermane, në kthim-përgjigjen për autoritetet shqiptare bëjnë me dije se shkaku që dyshohet se mund të fshihet pas vrasjes së 24-vjeçares, është për çështje nderi, pasi dyshohet se familja ishte në presion për ekzistencën e një video ku vajza e tyre shfaqej nudo.
Në datën 26 Shkurt, 1 ditë para se vajza e saj 24-vjeçare të gjendej e pajetë në një shtëpi me qira në Tiranë, nëna e saj ka bërë një kallëzim penal për zhvatje në Gjermani për këtë video.
Sipas nënës së Rayyan, prej Dhjetorit 2024, ajo i kishte dhënë disa herë vajzës para për të paguar kërcënuesit që u kishte rënë në dorë video dhe vajza, pa praninë e së ëmës, i ka dërguar paratë përmes kompanive të transfertave, për të plotësuar kërkesat e shantazhuesit.
Megjithatë, në kallëzim, nëna e Rayyan nuk përjashton mundësinë që pas shantazhuesit të qëndronte vetë vajza e saj. Sipas saj, Rayyan kishte fluturuar në Shqipëri së bashku me të atin Fadi Alwan, i cili nuk jeton me nënën e saj, më 19 Shkurt 2025.
Aty dyshohet se vajza i tregoi babait videon dhe nëna pretendoi se kishte lindur një mosmarrëveshje mes babait dhe vajzës, vetëm një mosmarrëveshje verbale.
Në një tjetër kallëzim që ka bërë Rayyan Alwan më 3 Janar 2024, ka pretenduar në atë kohë, se familja e saj, nëna, babai dhe dy vëllezërit, e kërcënonin me vdekje prej disa kohësh për shkak të dëshirës së saj për një jetë të lirë dhe perëndimore.
Ajo gjithashtu në denoncim në atë kohë, u tha autoriteteve gjermane se ishte e divorcuar prej tre vitesh, se ish-bashkëshorti dhe fëmijët së bashku supozohet të jetojnë në Liban. Ankesa të mëtejshme për kërcënim nga familjarët nuk janë bërë në vazhdim në Berlin./Klan News/