Kronikë e një vet-vrasjeje të paralajmëruar!
Ngjarja e rëndë e ndodhur në Sukth të Durrësit, ku një 41-vjeçare i dha fund jetës pasi e bullizuan në rrjetet sociale, tronditi sot mbarë opinionin publik.
Duket si një “kronikë e një vetvrasjeje të paralajmëruar” duke qenë se askush nuk mundi dot të parandalojë vrasjen e saj, as institucionet ligjzbatuese dhe as shoqëria, edhe pse mund të interpretohet sot si vetëvrasje.
Bullizimi në Tik-Tok dyshohet se ka qenë shkaku që ka shtyrë 41-vjecaren Bedrie Loka nga Dibra por që prej vitesh jetonte bashkë me katër fëmijët e saj dhe bashkëshortin në lagjen Stallë të Sukthit, që të ndërmarrë aktin fatal, atë të vetëvrasjes.
Sipas të afërmëve të 41-vjeçares dyshohet se ka qenë kushërira e Bedries (vajza e tezes) e cila kishte hapur profil denigrues në emër të saj në Tik-Tok.
Bedrie Loka, 41-vjeçe kishte denoncuar në vitin 2022 në Policinë e Durrësit se i kishin hapur një profil të rremë, me emrin e saj, në TikTok. Aty dyshohet se kishin hedhur në foto apo video, përmbajtja e të cilës nuk dihet, por mendohet të ketë qenë kompromentuese.
Nëna e katër fëmijëve kishte kërkuar ndihmë nga policia për mbylljen e profilit, por një gjë e tillë nuk kishte ndodhur, derisa ajo vendosi të kryejë vetëvrasje tre ditë më parë duke konsumuar fotoksinë.
E e dyshuara kryesore se ia ka hapur profilin e TikTok dhe i ka publikuar videon është vajza e tezes së viktimës. Kjo e fundit i kishte kërkuar një kolegu të punës së Bedries që t'i jepte videon, dhe ai ia kishte dërguar, pa ditur lidhjen e saj famljare me viktimën.
Së fundmi ajo i kishte thënë djalit të saj 21-vjeçar që ndodhej në Itali se do të kryente vetëvrasje.
Në datën 3 janar 2023, ajo i kishte uruar ditëlindjen vajzës së vogël dhe më pas kishte konsumuar fotoksinë. Fjalët e fundit të saj dyshohet të kenë qenë "për nder rroj...".
Sakaq, bashkëshorti i 41-vjeçares ka rrëfyer për mediat momentet e fundit të saj.
Në orën 05:30 të mëngjesit të 2 janarit, ai është zgjuar nga një zhurmë dhe pasi u ngrit nva krevati, ka treguar se ka gjetur bashkëshorten të shtrirë përtokë.
Nëna e 4 fëmijëve, sipas tij, kishte pirë fotoksinë dhe mezi mbushej me frymë. Ndërhyrja mjekësore për të ishte e vonë.
“Menjëherë kontrollova dhomën e djalit që kisha ngjitur, por nuk vinte nga aty zhurma. Dola në korridor, ku gjeta gruan të shtrirë në tokë dhe mezi frymë. Fotoksina e kishte bërë punën sepse nuk ishte fare në gjendje. E morëm e nisëm në spital menjëhere por ishte shumë vonë. Më mbylli deren kjo vdekje!”, ka deklaruar bashkëshorti.
41-vjeçarja kishte bërë denoncim në dhjetor të 2022 në Policinë e Durrësit për një profil të rremë të hapur në emër të saj por pas kallëzimit, policia shpjegoi se çështja ishte ende nën hetim nga prokuroria se kush po i keqpërdorte të dhënat e Bedrie Lokës.