Kronikë

Armik i Bajrave, arrestohet në Turqi i shumëkërkuari Ibrahim Lici

Shkruar nga Liberale

Armik i Bajrave, arrestohet në Turqi i shumëkërkuari Ibrahim Lici

Është arrestuar në Turqi i shumëkërkuari Ibrahim Lici. Ai akuzohet për “Vrasje me paramendim” kryer në bashkëpunim,  pasi dyshohet si autor i vrasjes së Endri Mustafës në Shkodër më 15 maj të vitit 2021.

Sipas hetimeve të Prokurorisë, Ibrahim Lici fshihej prej kohësh në shtetin turk. Sipas autoriteve, Lici kishte hyrë në territorin e Turqisë më 24 korrik 2021, në Aeroportin e “Instambul Sabiha Gokcen”, duke udhëtuar që nga Kosova.

Burime bëjnë me dije se policia turke ka rënë në gjurmët e Ibrahim Licit, duke ndjekur një person të besuar të tij që udhëtoi nga Shqipëria për ta takuar.

Ibrahim Lici njihet dhe si kundërshtari kryesor i Bajrave në Shkodër. Lici ishte në shënjestër të grupit të Bajrave për t’u ekzekutuar sipas dosjes Metamorfoza. Ndërsa Endri Mustafa njihej si pjesëtar i grupit të Bilalajve në Shkodër. Në familjet Lici dhe Bilali janë kryer një sërë vrasjesh. Në gusht 2018 u ekzekutua me breshëri kallashnikovi Fatbardh Lici, vëllai i Mustafa Licit.

Endri Mustafa u ekzekutua në mënyrë makabre më 15 maj të vitit 2021. Mustafa, baba i tre fëmijëve, u gjet në afërsi të bregut të liqenit të Shkodrës, në një vend i njohur si zona e Livadheve. Ai ishte vrarë me 6 plumba, njëri prej të cilëve në pjesën e gojës, dy të tjerë në kokë dhe 3 në gjoks. Nga këqyrja e trupit dyshohet se fillimisht ai është dhunuar dhe më pas është qëlluar me armë zjarri. Trupi i pajetë u gjet tri ditë pas denoncimit të zhdukjes në mënyrë të mistershme të 31-vjeçarit.

Ndërsa organet e hetimit akuzojnë si autor të vrasjes Ibrahim Licin, bashkëshortja e viktimës tha një vit më parë se me këtë familje kishin marrëdhënie të mira dhe se nuk ishin ata që e kishin kryer vrasjen. Prapa hekurave për ngjarjen është Ergys Malja, i cili dyshohet se e çoi viktimën në vendin e ngjarjes.

Nga hetimet e Prokurorisë, rezulton se Malja ka qenë ai që ka çuar Endri Mustafën në zonën e quajtur Livadhe, duke pretenduar se atje kishte mbjellë rreth 150 rrënjë kanabis. Në këtë zonë, ka ndodhur edhe vrasja e tij dhe sipas dëshmisë paraprake, Lici ka ardhur me motor dhe e ka qëlluar për vdekje me armë zjarri. Atë natë, adoleshenti ka shkuar në shtëpi dhe vetëm të nesërmen, ka çuar Policinë në vendin ku ishte fshehur trupi i pajetë.

“Më 15 maj, solla në banesë një qengj të blerë në Postribë pasi ma kërkoi Endri Mustafa, i cili më dha fillimisht 40 mijë lekë të vjetra dhe më pas, rreth orës 19:00 më dha edhe 70 mijë lekë të tjera. Atë ditë kemi biseduar për punë hashashi, pasi i thashë se kisha mbjellë 150 rrënjë hashash ‘3-muajsh’ në Livadhe me dy shokë dhe doja t’i merrja. Endri më tha se do të më ndihmonte që t’i merrja t’i çonim në shtëpi për t’i tharë. Pas kësaj bisede, u nisëm për në shtëpi. Rreth orës 22:00, u nismë për në Libvadhe, pasi u takuam te shtëpia e Endrit, u nisëm në këmbë, duke kaluar rrugën e ‘Bypass’-it dhe u kthyem djathtas për të dalë në vendin e quajtur ‘Gropa e ekskavatorit’, ku kisha hashashin. Aty na doli përpara Ibrahim Lici me armë në dorë, duke qëlluar direkt mbi Endrin. Ai u shtri në tokë, duke i thënë: ‘aman mos më vrit pasha Zotin se kam fëmijë’. Ai e ka qëlluar përsëri edhe në fytyrë, duke i thënë ‘qofsh i xhenetit’. Pas kësaj, Ibrahim Lici është larguar me motor nga vendi i ngjarjes”, ka dëshmuar ai.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH