Kronikë

824 konkurrentë nga e gjithë Shqipëria në testim për t’u pranuar në Policinë e Shtetit!

Shkruar nga Liberale

824 konkurrentë nga e gjithë Shqipëria në testim për

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ndoqi nga afër testin e përgjithshëm me shkrim, të aplikantëve të rinj për t’u pranuar në kursin “Patrullë e Përgjithshme”.

Këtë vit, numri i përgjithshëm i aplikantëve ishte 824 djem dhe vajza, prej të cilëve 400 do të përzgjidhen. Ministri Balla u interesua për gjithë procesin e aplikimit të kandidatëve të rinj dhe masave që janë marrë për sigurinë e gjithë fazave të testimit.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku shpjegoi se procesi monitorohet nga Drejtoria e Standardeve dhe AMP me një plan masash të veçanta.

“Monitorohen të gjithë konkurrentët dhe verifikohen paraprakisht që të mos kenë pajisje elektronikë, celular etj, në sallën e testimit”, tha Rrumbullaku.

Ky testim me shkrim zgjat rreth 2 orë dhe pyetjet janë përgatitur nga Ministria e Arsimit. Korrigjimi i testit për secilin nga kandidatët, do të bëhet elektronikisht, duke shmangur kësisoj çdo mundësi ndikimi apo deformimi të rezultateve.

Drejtori Rrumbullaku  sqaroi se pas përfundimit të këtij testimi me shkrim, kandidatët do të duhet të kalojnë edhe një sërë provimesh të tjera pasuese, që janë testimi fizik, intervista me gojë, testimi psikologjik, ai mjekësor dhe duke u mbyllur cikli me vlerësimin përfundimtar të besueshmërisë së personit, pra pranimit në Akademinë e Sigurisë.

Fituesit e këtij testimi të parë, do të afishohen në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit, vetëm me kodet përkatëse të kandidatëve, pra jo me emra.

Gjithë procesi i pranimit në Akademinë e Sigurisë, do të zgjasë rreth dy muaj dhe në shkurt të vitit të ardhshëm, kandidatët e sotëm fitues, do të mund të fillojnë studimet për kursin “Patrullë e Përgjithshme”.

Ministri Balla theksoi në një postim në rrjete sociale se sfida për ta rinuar Policinë e Shtetit është e hapur.

“824 konkurrentë nga e gjithë Shqipëria merren në provim për t’u pranuar në Policinë e Shtetit – Patrullë e Përgjithshme. Duke u bërë oficer policie keni mundësinë të zhvilloheni profesionalisht dhe personalisht si dhe të bëni diferencë pozitive në komunitetin tuaj. Ju do të mbroni rendin publik, parandaloni dhe hetoni krimin. Është një detyrë e rëndësishme publike, shumë sfiduese, e cila ju jep mundësinë të shikoni impaktin direkt të punës tuaj,” u shpreh ministri Balla.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH