Shkalla e punësimit në BE arriti në 76% në vitin 2024
Pas krizës së pandemisë thuajse të gjitha vendet e Europës kanë rritur nevojën për fuqi punëtore, kryesisht në shërbime dhe profesione që lidhen me ndërtimin. Në shumë profesione ka edhe të mbikualifikuar. Të dhënat e fundit të Eurostat nxjerrin në pah se Greqia ishte vendi i dytë në BE që kishte shkallën e mbikualifikimit më të lartën në Europë.
Punësimi në BE
Në vitin 2024, 75.8% (197.6 milionë njerëz) të BE-së nga 20 deri në 64 vjeç ishin të punësuar, përqindja më e lartë e regjistruar që kur raportohen të dhëna nga Eurostat, Instituti Europian i Statistikeve, në vitin 2009. Shkalla e punësimit u rrit me 0.5 pikë përqindjeje (pp) krahasuar me vitin 2023 dhe 1.2 pp krahasuar me vitin 2022.
Ndër vendet e BE-së, normat më të larta të punësimit u regjistruan në Holandë (83.5%), Maltë (83.0%) dhe Çeki (82.3%). Normat më të ulëta u regjistruan në Itali (67.1%), Greqi (69.3%) dhe Rumani (69.5%).
Në vitin 2024, shkalla e mbikualifikimit në BE ishte 21.3%, me 20.5% për burrat dhe 22.0% për gratë. Mbikualifikim quhet kur njerëzit me arsim të lartë punësohen në profesione që nuk kërkojnë një nivel të lartë arsimimi (për shembull kamarier me arsim të lartë).
Ndër vendet e BE-së, shkalla e mbikualifikimit ishte më e larta në Spanjë (35.0%), e ndjekur nga Greqia (33.0%) dhe Qiproja (28.2%).
Ndërkohë, Luksemburgu (4.7%), Kroacia (12.6%) dhe Çekia (12.8%) regjistruan normat më të ulëta.
Në 21 nga 27 vendet e BE-së, gratë kishin norma më të larta të mbikualifikimit sesa burrat, me ndryshimet më të mëdha të regjistruara në Itali (7.7 pikë përqindjeje), Sllovaki (6.4 pikë përqindjeje) dhe Maltë (5.3 pikë përqindjeje).
Megjithatë, në 6 vende të BE-së, burrat kishin norma më të larta të mbikualifikimit, me ndryshimet më të mëdha të regjistruara në Lituani (5.2 pikë përqindjeje), Letoni (2.6 pikë përqindjeje) dhe Estoni (2.5 pikë përqindjeje).
Mbikualifikimi në Shqipëri
Shqipëria dhe vendet e Ballkanit Perëndimor nuk përfshihen në të dhënat e Eurostat.
Një raport i fundit i Bankës Botërore për vendet në zhvillim ku përfshihen 19 të tilla që nga Azia deri në Ballkan tregon se shtetet që kanë një përqindje të vogël të popullsisë me arsim të lartë kanë edhe emigrimin më të lartë të trurit. Shqipëria ka 13% të popullsisë me arsim të lartë, në një kohë që 45% e tyre kanë emigruar.
Sipas një ankete tjetër europiane Shqipëria mban vendin e parë për forcën punëtore të krahut, krahasuar me vendet e Rajonit dhe BE -së
Rreth 40% e shqiptarëve të punësuar në vendin tonë kanë pohuar se kanë mbajtur pesha të rënda në vendin e punës pa ndihmën e një makinerie. Këto janë të dhënat e publikuara sipas Anketës Europiane për Aftësitë dhe Vendet e Punës për vitin 2023. Këto shifra e rendisin Shqipërinë të parën nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe BE-së. Sipas ekspertëve këta shifra tregojnë se edhe bizneset në vendin tonë nuk janë të informatizuar, çka i detyron punonjësit të përdorin forcën fizike.