Fermerët e mbetur nëpër fshatrat e Korçës po përballen me një situatë të vështirë, për shkak të mungesës së tregut për produktet e tyre.
Si pasojë, shumë prej tyre po detyrohen të hedhin qepët në kanale, kryesisht në fshatrat Pirg, Zvirinë, Orman dhe Dheqeras.
Pavarësisht mundit dhe kostove të larta të prodhimit, për shkak edhe të politikave të disfavorshme kundrejt prodhimit vendas, fermerët nuk po arrijnë të shesin prodhimet e tyre, duke pësuar shkaktuar dëme të mëdha ekonomike.
Ata bëjnë sërish thirrje për zgjidhje nga institucionet përgjegjëse, duke kërkuar mbështetje për gjetjen e tregjeve dhe shmangien e humbjeve të mëdha që po përballen çdo sezon.
Sipas të dhënave zyrtare në vitin 2024, eksportet në vend kanë shënuar rënien më të madhe të paktën që nga viti 2005, me rreth 15 për qind, kur raportohen të dhënat e para nga INSTAT. Në anën tjetër, importet në vitin 2024 shënuan një rritje vjetore 2.4%. Në vitin 2022, eksportet ishin sa 51% e importeve, më 2023 ishin sa 51.7%, ndërsa në vitin 2024, ky raport u përkeqësua duke shkuar në 41.7%.
Kursi i këmbimit dhe rritja e papritur e kostove (kryesisht nga lëndët e para dhe pagat) si dhe rënia e kërkesës nga jashtë po e rrënojnë edhe më tepër ekonominë tonë prodhuese.
Të ardhurat nga eksportet vetëm në vitin 2024 shënuan rënie me rreth 670 milionë euro. Prodhuesit shqiptarë në vitin 2024 në vlerë arkëtuan nga eksportet 15.3% më pak se në vitin 2023. Rënia e prodhimit do të thotë shkurtim i vendeve të punës, si dhe mbyllje ose falimentim për shumë ndërmarrje prodhuese. Jo vetëm ato bujqësore, sektor që kontribuon aktualisht në 18 për qind të PBB, por shumë nga fasoneritë po përballen me krizën më të rëndë ndër vite. Nga ana tjetër vitin e kaluar, importet e ushqimeve në sasi u rritën me 15% dhe 7% në vlerë.
Mungesa e ekspertizës ose e vullnetit për të matur produktivitetin dhe për ta favorizuar atë janë pasojat e asaj që po ndodh aktualisht në rënien e prodhimit. Deficiti tregtar u thellua në rreth 890 milionë euro vetëm për vitin 2024. Sektori i prodhimit, veçanërisht industria përpunuese po tkurret me shpejtësi.
Shifrat zyrtare tregojnë se Shqipëria mbështetet në masë të madhe tek importet për produkte ushqimore bazë dhe ato bujqësore. Për të reduktuar varësinë nga importet, është e rëndësishme të nxitet prodhimi vendas, veçanërisht në kategoritë ku potenciali bujqësor është i lartë.