Gjykata e Lezhës ka lënë të lirë me masën "detyrim paraqitje" Ladi Ndojën, bashkëshortin e deputetes së PD Elda Hoti, dhe Amarildo Jushin. Ata u arrestuan mbrëmjen e së shtunës për pengim të qarkullimit, drejtim të gabuar të automjetit, vetëgjyqësi dhe kanosje ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje.
Ngjarja ndodhi më 10 maj, kur dy të arrestuarit ndaluan një makinë ku ndodheshin Renuar Kola, drejtor i arsimit në Rrëshen, dhe një person tjetër. Ata pretenduan se po ndalonin një rast blerjeje votash.
Policia kontrolloi makinat dhe në ato të Ndojës dhe Jushit u gjetën lista me emra personash, të dyshuara si lista votuesish. Në makinën tjetër nuk u gjet asgjë e jashtëligjshme.
Pavarësisht materialeve të sekuestruara, gjykata vendosi lirimin e tyre, vendim që ka shkaktuar reagime në publik, pasi ngjarja ndodhi vetëm një ditë para zgjedhjeve.