Vetëm një ditë pasi u raportua se zjarri në Drenovë ishte vënë nën kontroll, flakët janë aktivizuar sërish në të njëjtin masiv pyjor, duke rrezikuar përhapjen në një zonë më të gjerë.
Shërbimet zjarrfikëse janë rikthyer në terren dhe kanë rinisur operacionin për shuarjen e flakëve, por përballen me vështirësi të mëdha për shkak të terrenit të thepisur malor, i cili pengon lëvizjen e mjeteve zjarrfikëse dhe ndërhyrjen e shpejtë.
Aktualisht, forcat zjarrfikëse po punojnë me mjete rrethanore dhe në këmbë për të izoluar vatrat, ndërsa pritet që të angazhohen edhe struktura të tjera ndihmëse nëse situata përkeqësohet.
Deri tani nuk raportohet për rrezik ndaj banesave apo jetëve njerëzore, por autoritetet apelojnë për kujdes të shtuar dhe bashkëpunim nga banorët e zonës për të shmangur përhapjen e mëtejshme të flakëve.