Aktualitet

DEKRETIMI/ Presidenti Begaj mes dy ligjeve dhe dy precedenteve

Shkruar nga Reldar Dedaj

 

DEKRETIMI/  Presidenti Begaj mes dy ligjeve dhe dy precedenteve

Presidenti i Republikës Bajram Begaj aprovoi me heshtje ligjin që detyron studentët e mjekësisë të punojnë nga 2 deri në 5 vite në spitalet publike pas përfundimit të fakultetit, por dekretoi me bujë të madhe ligjin për komisionet hetimore, për të cilin ka një debat të madh politik dhe publik, pasi është një ligj shumë i rëndësishëm për jetën parlamentare, për demokracinë dhe aktivitetin e opozitës.

Ndonëse është mjek në profesion dhe pavarësisht takimit që zhvilloi me studentët e mjekësisë, Kreu i Shtetit duket se nuk krijoi bindjen për ta kthyer për rishqyrtim ligjin që detyron studentët e mjekësisë të punojnë deri në 5 vjet në spitalet publike. Ishte Gjykata Kushtetuese ajo që pranoi këtë të enjte pjesërisht kërkesën e studentëve të Mjekësisë për ligjin që i detyron ata të punojnë pesë vite në Shqipëri që të marrin diplomën. Gjykata ka vlerësuar se dispozitat e kundërshtuara sjellin kufizim të të drejtave për arsim dhe punësim, të garantuara nga nenet 49 dhe 57 të Kushtetutës.

Në këtë kuptim, institucioni i Presidentit të Republikës, s’mund të funksionojë me dy standarde, duke aprovuar në heshtje një ligj krejt të diskutueshëm, siç ishte ligji që detyron studentët e mjekësisë të punojnë në 5 vite në spitalet publike pas përfundimit të fakultetit, pa sqaruar aspak arsyet e këtij aprovimi dhe nga ana tjetër, për të dekretuar një ligj për të cilin ka një debat të madh politik dhe publik dhe për të cilin sqaroi me hollësi arsyet e dekretimit edhe pse shumë të diskutueshme.

Megjithatë, edhe nëse Presidenti vendoste ta kthente një ligj të tillë, me shumë gjasa ai do të votohej përsëri në Kuvend, por mos dekretimi i tij, duket një rast i humbur për të treguar një pushtet balancues të Presidentit të Republikës, ndaj kësaj Qeverie. Dhe, aq më tepër në këto kushte, ku shoqëria dhe opozita duket shumë e dobët dhe pushteti shumë i fortë. Një mos dekretim nga ana e Institucionit të Presidentit, do të përbënte një lloj ekuilibri institucional, i domosdoshëm për jetën shoqërore dhe politike shqiptare në këto momente.

DEKRETIMI/  Presidenti Begaj mes dy ligjeve dhe dy precedenteve

Më 25 korrik, të vitit të kaluar, një përfaqësi e studentëve të Mjekësisë, iu drejtuan Presidencës për t’i kërkuar mos dekretimin e ligjit të ri që i detyron ata të qëndrojnë 5 vjet në Shqipëri pas diplomimit. Pas më shumë se 90 minutash takim, studentët thanë se e informuan Kreun e Shtetit mbi efektet negative që u sjell ligji i miratuar në parlament. Nga ana tjetër, një një reagim zyrtar Begaj tha se siguroi përfaqësuesit e studentëve se do të shqyrtojë me seriozitet të gjitha argumentet e paraqitura prej tyre, si dhe argumentet e relatuara nga ligji para se të veprojë sipas kompetencës dhe procedurës kushtetuese.

Duke qenë se Begaj nuk e nënshkroi dekretimin, sipas Kushtetutës ligji futet automatikisht në fuqi, pasi kalon një afat kohor prej 20 ditësh. Presidenti i Republikës duhet të bënte një akt për të dhënë një mesazh të rëndësishëm, duke e kthyer ligjin mbrapsht, për bindje të tij personale, gjë të cilën ja lejon Kushtetuta dhe posti që ai përfaqëson. Nuk e bëri. Por e ka bërë sa herë i është dashur Qeverisë, të paktën deri më tani. Për kujtesë, Begaj ka kthyer për shqyrtim vetëm një ligj, atë të dekoratave dhe ky vendim i Begajt erdhi pasi ‘qeveria i mori’ Presidencës, kompetencën për të dekoruar.

DEKRETIMI/  Presidenti Begaj mes dy ligjeve dhe dy precedenteve

Pavarësisht thirrjes së të dyja palëve të opozitës për të kthyer ligjin për “Komisionet Hetimore”, si rrugë që do të ndihmonte futjen në shinat e dialogut politik, opozitën dhe maxhorancën, Presidenti Bajram Begaj përsëri e dekretoi atë. Dekreti që mban datën 18 janar 2024 u shoqërua edhe me një dokument me argumente, ku kreu i shtetit ia bën të qartë opozitës se kthimi i ligjeve nuk është instrumenti për gjetjen e dialogut. Presidenti argumenton pretendimet e opozitës edhe pse vendosi miratimin e ndryshimeve të ligjit të komisioneve hetimore.

"Pretendimi se ky ligj duhet të ishte miratuar me konsensus nuk ka lidhje me ndonjë kërkesë të Kushtetutës, ndaj Presidenti i Republikës nuk mund ta kthejë atë për shqyrtim me shkakun se i mungon konsensusi" argumenton presdienti. 

I ashpër në qëndrimin e tij Begaj thotë se Opozita nuk ofroi asnjë zgjidhje për kompromis edhe pse si kryetar shteti ftoi opozitën të kërkonin kompromis, "por nuk e bënë". 

"Në të vërtetë, periudha nga miratimi i ligjit, deri në përfundimin e afatit 20-ditor për shpalljen e tij, u ezaurua pa asnjë demarsh për të ofruar dhe gjetur zgjidhje kompromisi, gjë që mban në këmbë si objektiv qëllimin për bllokimin e hyrjes në fuqi të ligjit, por rrëzon si të paqenë objektivin për “diskutimin dhe miratimin konsensual të ndryshimeve në ligjin për komisionet hetimore”  argumenton më tej Presidenti, duke hedhur poshtë pretendimin se ka shkelje kushtetuese dhe as parregullsi procedurale.

“Zhvillimi me dyer të mbyllura i Komisioneve Hetimore nuk i kundërvihet transparencës”, interpreton Presidenti duke nënvizuar se kthimi i ligjeve nuk është instrumenti që lehtëson dialogun politik prandaj i bën thirrje palëve: 'Uluni në dialog, bashkëpunoni për të mirën e përbashkët"

Ligji nr.106/2023, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8891, datë 2.5.2002, “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit” u miratua me 75 vota në seancën e fundit parlamentare të dhjetorit, në mesin e debatit mes maxhorancës e opozitës, e cila rrëzimin e komisioneve hetimore të kërkuara prej saj i quan mohim të së drejtës kushtetuese në parlament.

DEKRETIMI/  Presidenti Begaj mes dy ligjeve dhe dy precedenteve

Gjykata Kushtetuese këtë të enjte pranoi pjesërisht kërkesën e studentëve të Mjekësisë për ligjin që i detyron ata të punojnë pesë vite në Shqipëri që të marrin diplomën. Ajo ka vlerësuar se dispozitat e kundërshtuara sjellin kufizim të të drejtave për arsim dhe punësim, të garantuara nga nenet 49 dhe 57 të Kushtetutës.

“Kufizimi është vendosur me ligj dhe për interes publik, i cili lidhet me detyrimin e shtetit për të garantuar kujdes shëndetësor ndaj shtetasve, të parashikuar nga neni 55 i Kushtetutës".

Për Gjykatën, afati 5-vjeçar – i miratuar nga Qeveria – nuk është proporcional dhe duke marrë në konsideratë eksperiencën e vendeve të tjera, ku ky afat nuk tejkalon gjysmën e kohëzgjatjes së studimeve, u gjykua që të rishikohen edhe afatet e tjera 3-vjeçare dhe 2-vjeçare të përcaktuara në të njëjtin nen.

Ajo ka detyruar Kuvendin që brenda 3 muajve të miratojë ndryshimet e nevojshme ligjore.

Konkretisht: Shfuqizimin e fjalëve “5 vjet” në nenin 4, pika 1, shkronja “b”, “5-vjeçar” në nenin 4, pika 1, shkronja “c”, “3 vjet” në nenin 4, pika 2, shkronja “a”, “3-vjeçar” në nenin 4, pika 3, shkronja “b”, “2 (dy) vjet” në nenin 4, pika 3, shkronja “a”, “2-vjeçar” në nenin 4, pika 3, shkronja “b”, të ligjit nr. 60/2023.

Ligji i kundërshtuar gjerësisht nga studentët dhe opozita u miratua në korrik të vitit të shkuar. Ky projektligj u miratua me 71 vota pro, 23 kundër dhe asnjë abstenim. Kjo, si masë për të frenuar largimin e mjekëve nga Shqipëria.

Sipas tij, studentët e vitit të parë, apo më saktë kandidatët për studentë, përpara regjistrimit, ata që shpallen fitues, përpara regjistrimit në universitet do të nënshkruajnë një marrëveshje me UMT me MAS dhe MSHMS për tu angazhuar që do të qëndrojnë 5 vite për punësim pas diplomimit të tyre në Shqipëri, në institucionet shqiptare shëndetësore dhe diplomën do ta tërheqë pas përmbushjes së këtij detyrimi.

“Ndërkohë që për studentët që janë aktualisht në sistem, nga viti i dytë deri në vitin e gjashtë, përsëri në fillim të këtij viti akademik do të nënshkruhet një marrëveshje ku angazhohen që do të qëndrojnë përkatësisht: studentët nga viti i dytë deri në vitin e katërt, tre vite, ndërsa studentët e vitit të pestë dhe të gjashtë, dy vite, punësim në Shqipëri”, sqaronte ministrja e Arsimit.

Sipas Kushtetutës, Presidenti është hallka e fundit e procesit të miratimit të një ligji të ri. Ai ka të drejtë t'i kthejë ligjet për diskutim në parlament, kur ka argumente ligjore kundër tyre,  ose të dekretojë shpalljen e tyre që i paraprin si akt ligjor hyrjes në fuqi./Liberale.al/

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH