Aktualitet

Ndahet papritur nga jeta gazetari sportiv Saimir Demi, mesazhet PREKËSE pas lajmit të trishtë

Shkruar nga Liberale

Ndahet papritur nga jeta gazetari sportiv Saimir Demi, mesazhet PREKËSE pas

Një lajm i trishtë godet botën e sportit dhe atë të gazetarisë sportive në veçanti. Është ndarë nga jeta këtë të diel gazetari i njohur sportiv Saimir Demi. 57-vjeçari vuante nga një sëmundje e rëndë dhe nuk arriti që të fitonte këtë betejë.
Lajmi i trishtë është përcjellë nga të afërm, miq, kolegë dhe dashamirës të shumtë të gazetarit të RTSH-së. Mes mesazheve të shumtë, veçohen ai i vëllait të tij, Enkel Demi dhe i presidentit të FSHF-së, Armand Duka.

Mesazhi i vëllait të tij, Enkel Demi:

"Nuk është e lehtë, por duhet bërë ky njoftim. Vëllai im i vetëm, Saimiri iku tek Hyji sot në mesditë.
I vetmi ngushëllim është që nuk vuajti dhe qe i rrethuar nga përkujdesi i mjekëve të Spitalit Infektiv dhe njerëzit e tij të zemrës.
Pasdite do jemi tek selia e Alba 2000 tek ish Ambasada Jugosllave në Rrugën e Durrësit.
Nesër në orën 12.00 do të bëhen homazhe në hollin e RTSH. Prej andej, në orën 14.00 do të çojmë Saimirin në banesën e fundit në Sharrë."

Mesazhi i presidentit të FSHF-së, Armand Duka:

"Me dhimbje të thellë mora lajmin tragjik për ndarjen e parakohshme nga jeta të Saimir Demit, një gazetar i përkushtuar dhe një njeri i jashtëzakonshëm. Me të kemi ndarë biseda, analiza dhe opinione për sportin, veçanërisht për futbollin, një pasion që e udhëhoqi gjithë jetën e tij profesionale.

Një njeri i dashur dhe një profesionist i palodhur, Saimiri do t’i mungojë jo vetëm familjes së tij, por edhe komunitetit të gazetarëve dhe sportdashësve, ku kontribuoi me përkushtim për tre dekada.

Në emrin tim personal dhe në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, bashkëshortes dhe djalit të tij, si dhe të gjithë miqve që i qëndruan pranë.
U prehsh në paqe, Saimir! Do të të kujtojmë gjithmonë me respekt dhe dashuri."

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH