
Pas pezullimit të lundrimit për mjetet e vogla dhe të peshkimit si dhe të linjës Vlorë-Brindisi-Vlorë, masa janë marrë edhe për portin e Durrësit. Për shkak të përkeqësimit të kushteve të motit, nga dita e nesërme 23 mars, deri më 25 mars, do të ndalohet dalja në det e mjeteve të vogla të lundrimit dhe atyre të peshkimit. Gjithashtu trageti i linjës Durrës-Bari-Durrës, ditën e nesërme do të pezullohet.
Ndërsa anija e linjës Ankona -Durrës -Ankona do të operoje normalisht së bashku me tragetet e linjës Sarandë-Korfuz-Sarandë.
Njoftimi i Drejtorisë së Përgjithshme Detare:
Njoftim për kushtet hidrometeorologjike të përkeqësura gjatë datave 23-25.03.2025 !
Në bazë të parashikimit për situatën hidrometeorologjike, gjithë bregdetit shqiptar,duke filluar nga ora 08:00 datë 23.03.2025, do të përfshihet me erë të fortë në drejtimin JUG-JUG-LINDJE në forcën deri 8-9bft me shpejtësi deri 25-40m/s dhe lartësi dallge nga 2.50 deri 4.50 metra.
Me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur për shkak të kushteve atmosferike, kërkojmë bashkëpunimin e të gjithë subjekteve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë, për të marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe rritje e gadishmerisë së ekuipazhit në mjetet lundruese.
Ndalohet paisja me leje-nisje i mjeteve te vogla lundruese dhe ato te peshkimit të cilat operojnë në det të hapur duke filluar nga ora 06:00 datë 23.03.2025.
Të gjithë drejtuesit e mjeteve të vogla lundruese dhe anijeve të peshkimit të marrin në konsideratë kushtet hidrometeorologjike dhe marjen e masave për sigurimin e tyre.
Anijet e transportit ndërkombëtar detar për pasagjer dhe automjete në linjën Vlorë – Brindisi – Vlorë, do të anullohet deri në përmirësimin e kushteve hidrometeorologjike detare e cila do të jetë mbas orës 22:00 të datës 24.03.2025.
Anijet pasagjere të linjës Durrës-Bari-Durrës do të nisen ditën e sotme nga të dyja drejtimet dhe ditën e nesërme do të pezullohen.
Anija e linjes Ankona -Durres -Ankona do të operoje normalisht.
Tragetet e linjes Sarandë-Korfuz-Sarandë do të vazhdojne të operojne normalisht.
Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike të përkeqësuar për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit do të jetë mbas orës 08:00 të datës 25.03.2025.