
Bashkim Shehu djali i Mehmet Shehut rrëfeu në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV ditën kur babai i tij, u gjet i vetëvrarë në dhomën e tij të gjumit.
Zoti Shehu thotë se prej tre dekadash ka të njëjtin qëndrim, se babai i tij u vetëvra.
“Natën që im atë vrau veten, unë isha në shtëpi, po flija. Të nesërmen shkova si çdo ditë në punë, në kinostudio. Nuk kaloi shumë kur erdhi një makinë e grupit të shoqërimit të tim eti. Vjen shoferi më thotë hajde se të kërkon Aliu, që ishte shefi i grupit të shoqërimit.
Më thotë që duhet të shkojmë në shtëpi dhe sapo mbërrijmë në banesë, më thotë vëllai çfarë kishte ndodhur.
Unë mbaj të njtëjtën qëndrim për atë që mendoj se cfarë ka ndodhur atë natë. Kam dyshuar një fare kohe, kur dola nga burgu sepse dëgjova shumë hipoteza, pastaj me sa kam verifikuar me njerëz që janë marrë me atë ngjarje, njerëz të afërt, kam bindjen se ajo ishte një vetëvrasje.
Unë isha 26 vjeç kur ndodhi. Nuk flisja shumë me tim atë, por një këshillë që e mbaj mend ishte “kujdesu për veten”. Kujdes çfarë flet sepse fjala shkon atje ku ti nuk e di dhe ku ti nuk do. Vetëm kaq.
Unë e mendoja se diçka e ngjashme mund të ndodhte me ne, sepse pashë se si u goditën njerëz të tjerë, përfshirë ministra, njerëz me pozicione të larta. Kisha menduar se diçka mund të ndodhte edhe me familjen time. E shprehja këtë me vëllain, vetëm me atë flisja, por jo me prindërit. Unë e mendoja që një gjë e tillë mund të ndodhte, por e mbaja veten me shpresë se ndoshta ky nuk do të ishte fati i tij”, u shpreh zoti Shehu.
Më tej në bisedë me gazetaren Rudina Xhunga, zoti Shehu tregon për gjetjen e eshtrave të babait.
“Unë e kisha kërkuar në vitin 1996 por nuk e gjeta. Gati-gati i kisha humbur shpresat. Pastaj vëllai bëri kërkimet e tij dhe e gjeti në vitin 2001. Na kishin thënë dhe patëm gërmuar te vendi që na thanë por nuk gjetëm asgjë. Pas pak kohësh vëllai insistoi dhe shkoi sërish. Unë i thashë që nuk vij më kështu që shkoi vetëm. E gjeti dhe më telefonoi që të shkoja edhe unë”, u shpreh Bashkim Shehu në Dritare TV./dritare.net