Vrasja e 24-vjeçares palestineze, Rayan Alwan, në Tiranë ka tronditur opinionin publik dhe ka hapur një hetim ndërkombëtar për zbardhjen e motivit dhe autorit të krimit. Fillimisht, u dyshua se autori ishte bashkëshorti i viktimës, por hetimet e mëtejshme kanë treguar se ai ishte babai i saj, Fadi Alwan, i cili aktualisht është në arrati.
Ngjarja ka ndodhur më 22 shkurt 2025, kur Rayan dhe babai i saj mbërritën në Shqipëri nga Gjermania, duke u prezantuar si çift dhe duke marrë një apartament me qira në rrugën "Gjon Buzuku" në Tiranë. Pas disa ditësh, Rayan u gjet e pajetë në banesë, ndërsa Fadi Alwan kishte larguar vendin dhe dyshohet se është arratisur drejt Libanit.
Motivi i krimit dyshohet të ketë lidhje me mosrespektimin e rregullave fetare nga ana e Rayan, çka ka shkaktuar konflikte brenda familjes. Hetimet kanë zbuluar se ajo ishte e divorcuar dhe kishte tre fëmijë, të cilët jetonin me të atin në Liban.
Prokuroria e Tiranës ka dërguar kërkesë për ekstradimin e Fadi Alwan nga Libani, ndërsa autoritetet gjermane janë kërkuar të marrin në pyetje bashkëshorten e tij për të ndihmuar në zbardhjen e ngjarjes.