Një rast i rrallë në praktikën protokollare ndërkombëtare, teksa tapeti i kuq zëvendësohet me petale trëndafilash të kuq. Kjo ka ndodhur më 4 qershor 1959 në aeroportin e Rinasit. Në ceremoninë e përcjelljes së shefit të Kremlinit, Nikita Hrushovit, pas vizitës 10-ditore në Shqipëri
Vizita e Nikita Hrushovit tij zgjati 12-ditë.
Ishte hera e parë, që nga Çlirimi, që në Shqipëri më 25 maj 1959 vinte për vizitë zyrtare një kryetar superfuqie botërore, shënonte në Ditarin e tij sekret Enver Hoxha.
Ndërkaq Agjencia Qendrore amerikane e Kundërzbulimit (CIA), 4 vjet më pas, më 22 qershor 1962, në një studim TOP SECRET për Shtëpinë e Bardhë “Marrëdhëniet sovjetike-shqiptare,1940-1960”, do të vinte në dukje: “Gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 1959, raportet sovjetike-shqiptare arritën apogjeun dhe Shqipëria mori një rëndësi të jashtëzakonshme në çështjet e bllokut. Në mes të muajit maj Shqipëria u nderua dukshëm, teksa u mbajt në Tiranë takimi me rastin e dhjetëvjetorit të KNER-it (Komiteti i Ndihmës Ekonomike Reciproke), dhe u krijuan kushtet për vizitën personale të Hrushovit në Shqipëri pas dhjetë ditësh.
Vizita e Hrushovit në Shqipëri (25 maj-4 qershor) tejkaloi në kohëzgjatje çdonjërën nga vizitat e tij të shumta në vende të tjera të bllokut... kohëzgjatja e saj ndoshta synonte pjesërisht të kompensonte ndonjë ndjeshmëri tek udhëheqësit shqiptarë për shpërfillje nga ana e tij. Por më e rëndësishmja, vizita synonte ndoshta t’i jepte Hrushovit kohë dhe mundësi për një panoramë më të mirë dhe për të kuptuar Shqipërinë, problemet dhe udhëheqësit e saj, si dhe për të fshirë çka kishte mbetur nga fërkimi mes dy vendeve”.