Një punonjës i Gardës së Republikës, është arrestuar nga Agjencia e Mbikqyrjes Policore, në lidhje me dhunën dhe tensionet e ndodhura gjatë ndeshjes së djeshme “Partizani-Tirana”, të mbajtur në stadiumin “Arena e Demave”.
Mësohet se i arrestuari, i identifikuar si Ergi Ismaili, dyshohet për kryerjen e veprave penale “Kundërshtim i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë” dhe “Veprime të dhunshme në aktivitete sportive”.
Njoftimi i plotë:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) ka arrestuar punonjësin e Gardës Inspektor E.I., i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Kundërshtim i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë” dhe “Veprime të dhunshme në aktivitete sportive”.
Arrestimi u bë i mundur pas veprimeve hetimore të kryera në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr.4 në lidhje me ngjarjen e datës 09/02/2025, ku gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit, ka patur përplasje të dhunshme mes tifozëve, të cilat kanë sjellë si pasojë dëmtime fizike të disa personave në stadium, përfshirë edhe një punonjës të sigurisë së stadiumit edhe një punonjësi policie.