Një konflikt i rëndë ka ndodhur këtë të shtunë në Ksamil, ku një person është dhunuar me sende të forta brenda ambienteve të një hoteli.
Burime për median konfirmojnë se i lënduari është Albert Pashaj, ndërsa personi i dyshuar si autor i dhunës është Agim Taraj. Të dy janë pronarë hotelesh në zonë.
Ngjarja ka ndodhur në hotelin e Pashajt, ku dyshohet se ka nisur një përplasje fizike pas një debati për hapësirat e plazhit përballë hotelit. Konflikti dyshohet se ka lindur për shkak të çadrave dhe kontrollit të territorit në vijën bregdetare.
Sipas informacioneve, përplasja ka pasur si motiv çështjet e pronësisë dhe menaxhimit të hapësirës turistike, një problem që po përsëritet gjithnjë e më shpesh në zonat turistike të Jugut, veçanërisht gjatë sezonit veror.
Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe për të marrë në pyetje palët e përfshira. Gjendja shëndetësore e Pashajt raportohet të jetë e stabilizuar.