Platforma shumë e njohur e inteligjencës artificiale, ChatGPT, ka pasur probleme serioze ditët e fundit. Përdoruesit në shumë vende të botës, përfshirë edhe Shqipërinë, nuk kanë mundur ta përdorin shërbimin si zakonisht.
Sipas raportimeve nga faqja Downdetector, më shumë se 22,000 persona kanë njoftuar për ndërprerje dhe gabime që kanë zgjatur për më shumë se dy orë. Përdoruesit janë përballur me vështirësi në hapjen e platformës, kryerjen e detyrave dhe qasjen në shërbimet e tjera të OpenAI.
Problemet nuk kanë prekur vetëm ChatGPT, por edhe API-në (që përdoret nga zhvilluesit për të ndërtuar aplikacione) dhe Sora-n, mjetin e ri për gjenerimin e videove me inteligjencë artificiale.
OpenAI, kompania që qëndron pas ChatGPT, ka bërë një deklaratë të shkurtër, ku thotë se është duke hetuar problemin dhe se po punohet për ta rregulluar sa më shpejt.
Kjo ndërprerje është një nga më të mëdhatë e ndodhura kohët e fundit dhe ka shkaktuar shqetësim te shumë përdorues që e përdorin ChatGPT për punë, studime apo shërbime të tjera të përditshme.
Ende nuk ka një njoftim zyrtar se kur do të rikthehet plotësisht funksionimi normal i platformës.