Aktualitet

Banorët e Suçit protestojnë kundër ndërtimit të HEC-it në lumin e Lusës, futen me forcë në bashki

Shkruar nga Liberale.al

Banorët e Suçit protestojnë kundër ndërtimit të

Dhjetëra banorë të njësisë administrative Suç në Klos janë ngritur në protestë kundër ndërtimit të hidrocentralit “Doma” në lumin e Lusës, duke kërkuar ndërhyrjen e Bashkisë për pezullimin e punimeve. Ata janë mbledhur para Bashkisë së Klosit, ku situata u tensionua pasi banorët kërkuan të takonin kryetaren Valbona Kola, por hyrja iu bllokua nga Policia Bashkiake.

Protesta u përshkallëzua kur banorët hynë forcërisht në ambientet e bashkisë, çka solli ndërhyrjen e Policisë së Shtetit për të qetësuar situatën. Pas insistimit të tyre, kryebashkiakja Kola pranoi të zhvillonte një takim me përfaqësues të banorëve të fshatrave të prekur nga projekti.

Në këtë takim, Kola u shpreh se Bashkia nuk ka mundësi ligjore për të ndaluar ndërtimin e hidrocentralit, pasi investimi është miratuar nga administrata e mëparshme. Ajo publikoi dokumente që tregonin se ish-kryetari i bashkisë, Basir Çupa, kishte firmosur në shtator të vitit 2018 një kontratë qiraje 10-vjeçare për një sipërfaqe pyjore, në favor të kompanisë ndërtuese “Global Interprise Group”. Këshilli Bashkiak kishte dhënë mendimin pozitiv për heqjen nga fondi pyjor në vitin 2019.

Kola theksoi se punimet janë aktualisht të pezulluara nga vetë kompania dhe premtoi se do të kërkojë ndihmë nga IKMT e Dibrës për të kontrolluar situatën, pasi Bashkia ka mungesë të inspektorëve lokalë.

Nga ana tjetër, banorët mbetën të vendosur për të mos lejuar ndërtimin e HEC-it, duke theksuar se projekti rrezikon burimet ujore për vaditje dhe do të shkaktojë dëme të mëdha në natyrën dhe ekosistemin e zonës. Ata kanë kundërshtuar gjithashtu mungesën e transparencës dhe faktin që nuk janë përfshirë në asnjë dëgjesë publike për projektin.

Ndërtimi i HEC-it “Doma” është pjesë e një projekti më të gjerë për ngritjen e tre hidrocentraleve në lumin e Lusës. Konflikti ka nisur prej kohësh dhe është intensifikuar javët e fundit, me përplasje mes banorëve dhe përfaqësuesve të kompanisë ndërtuese, e cila pretendon se gjurma e HEC-it nuk prek drejtpërdrejt interesat e banorëve.

Situata mbetet e tensionuar, ndërsa banorët paralajmërojnë se do të vazhdojnë protestat derisa projekti të ndalet plotësisht.

Liberale Newsroom

Lirimi i hapësirave publike, a duhej bërë në mes të sezonit turistik?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH