Policia e Tropojës ka vënë në pranga një 25-vjeçar nga fshati Koçanaj, i dyshuar si autor i plagosjes me thikë të një 18-vjeçari, ngjarje e ndodhur një ditë më parë në qytetin e Bajram Currit.
I arrestuari është shtetasi S. D., i cili akuzohet për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”. Sipas hetimeve paraprake, ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të 19 korrikut, në qendër të qytetit, pas një debati për motive të dobëta.
Gjatë konfliktit, S. D. dyshohet se goditi me thikë 18-vjeçarin D. H., banues në Bajram Curri. Policia ka sekuestruar thikën e përdorur si provë materiale, ndërsa i riu i plagosur ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Materialet për ngjarjen i janë referuar Prokurorisë së Kukësit për veprime të mëtejshme ligjore.