“Céleste Odilon mund të nisen pas 10 minutash dhe të kthehen rreth orës 6 1/2, 7 të mëngjesit. Afrojeni pranë meje karrigen”. Dhe nga ana e pasme është shkruar: “E kisha dëgjuar hekur në vend të gotë (J’avais entendu fer au lieu de verre)”.
Pas kësaj ai provon që të pijë pak kafe duke i thënë guvernantes së tij besnike Céleste Albaret : “Sa për t’ju bërë qejfin juve dhe vëllait tim”.
Në kalim e sipër ; ai njollosi letrën me pak kafe. Ishte 18 nëntori i vitit 1922. Ora shtatë e mëngjesit. Ai vdiq në orën 16 e 30. Njolla e kafesë është akoma aty.
Kjo copë letër, kjo « pusullë e të sëmurit », siç është prezantuar në katalogun e shitjeve që u bë me 18 dhjetor 2008, u shit 8000 euro.
Nga kujtimet e guvernantes
Rreth orës shtatë të mëngjesit, ai shprehu dëshirën për të pirë një kafe :
– …për t’ju bërë qejfin, juve dhe vëllait tim, do ta pi të nxehtë Céleste, nëse është gati dhe ju ma shërbeni menjëherë. Më kujtohet që u ngrita nga kolltuku për të shkuar në guzhinë si një somnambul. Nuk mund të ecja. I thashë motrës sime, Maries :
– Deri tani e kam mbajtur veten, por më duket se nuk mundem më ; nuk më mbajnë këmbët. Në fakt, mendoj se nuk do të kisha rezistuar gjatë. U ktheva me kafen dhe me qumështin e vendosur në tabaka.
Ai dukej aq i pafuqishëm sa i propozova :
– Zotëri, dëshëroni që t’ju ndihmoj, t’ju mbaj pjatën ?
– Jo, Célestine, faleminderit. Ai mori filxhanin dhe e afroi në buzë duke ngritur sytë nga unë e duke përsëritur :
– Sa për t’ju bërë qejfin, juve dhe vëllait tim…
Piu pak dhe ma ktheu. E vendosa filxhanin mbi tabaka. Më tha që ta lija aty, pastaj :
– Besoj të rri i qetë një moment.
Dhe më bëri shenjë se dëshironte të qëndronte vetëm.