Aranit Muraçi
Imagjinoni një të moshuar në vendin tonë që mbahet me pension të pjesshëm, ose për një arsye apo tjetër nuk ka pension fare. Dhe është i sëmurë. I duhet të blejë ilaçe. Me rritjen e çmimeve kostoja e jetesës është bërë gjatë vitit të fundit edhe më e papërballueshme. Jo vetëm në një vend si Shqipëria, që për shkak edhe të së kaluarës mbetet një ndër vendet më të varfra në Europë. Por edhe në vendet e zhvilluara. Kështu, masat e qeverive në mbarë kontinentin, të majta ose të djathta qofshin ato, nisën me kompensimin e të ardhurave për qytetarët, duke pasur në fokus shtresat më në nevojë.
Ndryshe nga paradoksi dhe modeli që ndoqi Shqipëria, e cila e nisi reformën për t’iu kundërpërgjigjur krizës me rritjen e pagave të Administratës Publike, dhe me dyfishimin e pagave për zyrtarët e lartë, përfshirë deputetë dhe ministra, vendet e tjera edhe pse të djathta janë të fokusuara për t’u ardhur në ndihmë shtresave më në nevojë dhe më të goditurat nga kriza. Rritja e pagës minimale dhe premtimi për rritjen e pagës mesatare, si nisma inkurajuese të qeverisë së majtë në Shqipëri janë gjithashtu të pjesshme për t’iu kundërpërgjigjur krizës, sepse ato mund të mos zbatohet nga sektori privat.
Fokusi i të gjitha vendeve të tjera te shtresat më të prekura nga kriza është i thjeshtë sepse, vetëm në këtë mënyrë, mbrohet fuqia blerëse dhe nxitet konsumi, çka i jep hov ekonomisë për të shmangur recesionin.
Edhe Italia e Giorgia Meloni, e cila drejton një nga qeveritë më radikale dhe të djathta në Europë, nuk mund të vepronte ndryshe në këtë periudhë krize veçse të ndiqte alternativën e vetme ekonomike, edhe pse një politikë e tillë konsiderohet e majtë dhe sociale, për t’iu ardhur ndihmë shtresave më në nevojë.
Ata që marrin pension minimal do të marrin pas shtatë muajsh rritjet e përcaktuara nga qeveria me ligjin e ri të Buxhetit. Aktualisht po indekoshen pensionet me çmimet e rrituta gjatë vitit dhe duke nisur nga viti 2024, përfitimet minimale të pensionistëve mbi 75-vjeç do të shkojnë nga 600 në 700 euro në muaj. Qeveria e Melonit vendosi gjithashtu normën e rivlerësimit të pensioneve minimale 6.4% në 2023 për pensionistët mbi 75 vjeç dhe 1.5% për pensionistët e tjerë.
Një rritje që i shtohet indeksimit që ishte vendosur më herët, me qëllim rikuperimin e inflacionit. Për rrjedhojë, në vitin 2023 shtesat minimale për ata mbi pragun e moshës do të rriten nga 563,74 në 599,82 euro dhe për të tjerët në 572,20. Për ata që e gjejnë veten nën shumën minimale, duke mos pasur të drejtë integrimi, rritja e përqindjes do të zbatohet për shumat që duhen paguar.
Të gjitha shtesat e tjera prej rreth 400 milionë eurosh në total, janë rregulluar me ligj duke filluar nga 1 janari. Që do të thotë se në muajin korrik pensionistët në fjalë do të mbledhin përveç shumës së shtuar edhe 6 muaj detyrime të prapambetura për muajt janar-qershor. Por për vitin 2024, qeveria po mendon, siç u përmend, për të hedhur një hap të mëtejshëm përpara, me qëllim mbështetjen e pensionistëve.
Arsyet janë edhe politike. Gjatë javës, Parlamenti italian do të votojë një mocion që detyron ekzekutivin të çojë pensionet minimale në një mijë euro deri në fund të mandatit, objektiv i përcaktuar të arrihet deri në vitin 2027. Problemi, megjithatë, është se shumë miliarda do të nevojiteshin për të siguruar këtë përmirësim për të gjithë shtresat e pensionistëve. Ndoshta edhe njëzet sipas disa simulimeve.
Shumë para për momentin dhe ndoshta edhe në të ardhmen. Për të mundësuar këtë, qeveria po punon për një plan ambicioz që parashikon sinjalin e parë, në vitin 2024. Kjo do të thotë se rritja, nga 600 në 700 euro, është e rezervuar dhe e garantuar vetëm për ata të cilët marrin pension minimal dhe që i kanë kaluar 75 vjeç. Një lëvizje e tillë do të kushtonte rreth një miliard euro.
Ka edhe një variabël tjetër që do të hyjë në lojë; nga janari 2024, për shumicën e pensionistëve do të shkaktohet një rregullim i ri i inflacionit, i cili (duke përfshirë rikuperimin e asaj që nuk u njoh në 2023) duhet të kalojë 6 për qind. Pragu minimal i trajtimit në këtë mënyrë automatikisht do të afrohej në 600 euro.
Mbetet për t'u parë dhe kjo varet nga mundësitë dhe zhvillimi ekonomik i Italisë, politikat fiskale etj, nëse ndërhyrja do të financohet të paktën pjesërisht edhe për vitet në vijim.
/Liberale.al/