Aktualitet

SHIFRA E DITËS: Hong Kongu dorëzon vendin e parë, Shqipëria ekonomia e 31-të me lirinë më të madhe në botë

Shkruar nga Liberale

Aranit Muraçi

Singapori ka rrëzuar Hong Kongun nga froni për t’u bërë ekonomia me lirinë më të madhe në botë, sipas një raporti të publikuar nga Instituti kanadez "Fraser". Për herë të parë që nga fillimi i Indeksit të Lirisë Ekonomike Botërore, publikuar në vitin 1970, Hong Kongu zbriti në vendin e dytë nga vendi numër një që mbajti për një periudhë të gjatë.

Në renditjen botërore, Zvicra, Zelanda e Re, SHBA, Irlanda, Danimarka, Australia, Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja plotësojnë 10 vendet e para.

Shqipëria sipas këtij vlerësimi pozicionohet në një vend komod, në renditjen botërore, sa i përket lirisë ekonomike. Që do të thotë se tregu në vendin tonë nuk është aq i ashpër, sikurse legjislacioni nuk bëhet pengesë për të nisur një biznes. Publikimi i fundit i indeksit të institutit kanadez tregon se Shqipëria ka lirinë më të madhe ekonomike në rajon, sa i përket lirisë ekonomike.

Shqipëria pozicionohet një vend para Malit të Zi, ndërkohë që para vendit tonë renditen vende të tjera si Rumania, Norvegjia, Austria dhe Kili që do të thotë se në renditje nuk është kriter zhvillimi ekonomik i tyre.

Disa nga parimet e përdorura për të matur indeksin e lirisë ekonomike lidhen me lehtësinë e tregtisë ndërkombëtare, lirisë për të hyrë dhe konkurruar në tregje, si dhe rregulloret e biznesit, si dhe  kritere të tjera.

Gjetjet në raportin e 2023 bazohen në të dhënat nga 2021, viti më i fundit me statistika të krahasueshme në 165 juridiksione nga vende të ndryshme të botës. “Zbritja e Hong Kongut është një shembull se si liria ekonomike është e lidhur ngushtë me lirinë civile dhe politike,” tha bashkëpunëtori i lartë i Institutit Fraser, Matthew Mitchell, në një deklaratë për shtyp.

Barrierat e reja rregullatorë për hyrjen, kostot në rritje të biznesit dhe kufizimet në punësimin e fuqisë së huaj punëtore kanë dëmtuar lirinë ekonomike të Hong Kongut, thuhet në raport. “Këto shtypje, të kombinuara me përpjekjet e qeverisë për të kontrolluar sektorin privat, çuan në mënyrë të pashmangshme në pakësimin e lirisë ekonomike. Prosperiteti i Hong Kongut ka të ngjarë të vuajë edhe më tej si rezultat i kësaj,” tha Mitchell.

Shqipëria pozicionohet në vendin e 31-të mes 165 vendeve në total në “Indeksin e Lirisë Ekonomike” për vitin 2023.  Shqipëria pozicionohet jo vetëm në krye të vendeve të rajonit, por gjithashtu vendi ynë kryeson edhe disa prej shteteve më të zhvilluara në Europë duke u klasifikuar mes shteteve me liri ekonomike.

Ky indeks mat masën gjithëpërfshirëse të qëndrueshmërisë së institucioneve dhe politikat ekonomike të një vendi. Liria ekonomike, sipas raportit është një koncept i bazuar në pronësinë vetjake, ndërsa të dhënat e indeksit tregojnë se shkalla e lirisë ekonomike matet në pesë fusha të gjera të cilat përfshijnë Shpenzimet e Qeverisë dhe Normat e taksave, Sistemi Juridik dhe të Drejtat Pronësore, Qëndrueshmëria e monedhës vendase, Liri për Tregti Ndërkombëtare dhe Rregullatori i kredisë, punës dhe biznesit.

Në nivel rajoni, vend i cili ndjek Shqipërinë në këtë renditje është Mali i Zi në vend të 32 me 7.59 pikë të grumbulluara. Maqedonia e Veriut mban vendin e 65-të dhe pasohet nga Serbia në vend të 76-të. Në fund të rajonit gjejmë të pozicionuar Bosnje Hercegovinën në vend të 82-të. Greqia pozicionohet në vendin e 72-të.

Një pozicion tjetër pozitiv ruajmë sa i përket lirisë për tregti ndërkombëtare duke u renditur në vend të 15-të. Sa i përket shpenzimeve të qeverisë Shqipëria renditet në vend të 26 mes 165 vendeve në total. Renditje jo shumë pozitive kemi në fushat e sistemit juridik dhe të drejtave pronësore ku pozicionohemi në vend të 70-të.

Nëse do të analizonim pesë fushat mbi të cilat ndërtohet ky indeks shohim se Shqipëria ka poziocionimin më të mirë sa i përket qëndrueshmërisë së monedhës duke u renditur në vend të nëntë megjithëse krahasuar me vitin 2020 kemi rënë në pozicion.

Në vend të fundit gjejmë të renditura vende si Venezuela. /Liberale.al/

 

Liberale Newsroom

Bashkia e Tiranës mbi 3 muaj pa kryetar! A duhet të shpallë qeveria zgjedhje të reja për kryeqytetin?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH